Pako ushqimore në zyrat e zjarrfikëses, Tavo: Po blejnë votat

schedule14:35 - 10 Prill, 2021

schedule 14:35 - 10 Prill, 2021

Pavarësisht ashpërsimit në Kod të veprës penale për krimet zgjedhore në prag të procesit të 25 prillit rikthehen skena të tilla.

Kandidati për deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Gjirokastër, Vangjel Tavo ka denoncuar ministrin e Brendshëm, Blendi Çuci dhe zyrtarë të tjerë të Partisë Socialiste se po kërkojnë të marrin vota në shkëmbim të pakove ushqimore.

“Informacionet i kam nga njerëzit e mi, të cilët nuk pajtohen me fenomenit. Nuk janë simpatizantë, por janë njerëz me integritet, qytetarë gjirokastritë të cilët nuk mund të pranojnë të bëhet shitblerje e votës”, tha ai.

 

Për Tavon, kjo është një skemë e përsëritur nga PS.

“Është shumë e çuditshme se si donacionet për bashkinë vijnë në fushatë zgjedhore. Më e çuditshme është edhe fakti që donacionet për bashkinë që duhet të jenë publike shpërndahen fshehurazi natën”, tha më tej Tavo.

Shefi i zjarrfikëseve në Gjirokastër, Kujtim Bizhga ka një tjetër version për ngjarjen.

“I kemi në një garazh nga kapanonet tona dhe ushqimet do të qëndrojnë atje deri sa ata t’i gjejnë vend. Nuk ka magazina Bashkia sepse atje është prishur sheshi dhe nuk ka ku t’i çojë. Unë nuk përgjigjem për dokumentacion”, tha Bizhga.

Këto pretendime të shefit të zjarrfikëseve për Tavon nuk qëndrojnë.

“Më e çuditshme është edhe fakti që mallrat janë depozituar në magazinën e zjarrfikësve dhe jo në magazina të tjera të Bashkisë së Gjirokastrës. Kjo nuk është hera e parë sepse edhe në 2017, kur po e njëjta magazinë u përdor për shpërndarje”, tha më tej Tavo.

Kandidati i LSI i ka bërë thirrje organit të Prokurorisë që për këtë rast të nis menjëherë hetimet.

/abcnews.al/