Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Pakistanit, Tahir Andrabi, njoftoi se bisedimet teknike ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit pritet të rifillojnë javën e ardhshme.
Duke folur për gazetarët në Islamabad, Andrabi tha se raundi i ri i diskutimeve mund të nisë të martën, ndërsa si data të mundshme përmendi gjithashtu të hënën ose të mërkurën e ardhshme. Megjithatë nuk dha detaje mbi vendin ku do të zhvillohen takimet.
Sipas tij, bisedimet do të përqendrohen në çështje teknike që lidhen me programin bërthamor iranian, një nga temat më të ndjeshme në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Një nga pikat kryesore të diskutimeve do të jetë e ardhmja e rezervave të uraniumit të pasuruar në nivele të larta që zotëron Irani. Vendet perëndimore shprehin shqetësime se ky material mund të përdoret potencialisht për zhvillimin e armëve bërthamore, ndërsa Teherani vazhdon të këmbëngulë se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore.
Rifillimi i bisedimeve shihet si një hap i rëndësishëm në përpjekjet diplomatike për të ulur tensionet dhe për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për çështjen bërthamore iraniane.
/abcnews.al/



