Nga 1 Janari ka hyrë në fuqi paketa e re fiskale prej së cilës bizneset nga 8 në 14 milionë lekë të reja xhiro vjetore, do të përfitojnë ulje të taksës së tatim-fitimit. Kryeministri Edi Rama vizitoi një prej sipërmarrësve përfitues.
Kjo kompani mermeri këtë vit do të paguajë 5% tatim-fitim nga 15 % që ka paguar më herët. Paketa e re fiskale prej të cilës përfitojnë ulje takse bizneset me xhiro vjetore nga 8 deri në 14 milionë lekë ka hyrë në fuqi dhe kryeministri Edi Rama zgjodhi ta nisë vitin e ri me promovimin e saj.
“Unë bëja 100 milionë lekë xhiro në vit dhe paguaja 15 milionë lekë. Tani ne paguajmë 5 milion lekë. Unë do investoj më shumë tani. Do marr më shumë punëtorë”, u shpreh pronari i biznesit.
“Në fakt, kjo është zona më delikate e punësimit. Të gjithë bizneset, nga 8 milion në 14 milion xhiro vjetore, që, deri dje e kishin 15% taksën e fitimit, e kanë 3-fish më të ulët nga sot, por kanë kapacitete punësimi dhe vetëpunësimi shumë të mëdha. Ajo që është më e rëndësishmja, në këndvështrimin tonë, është që, duke ju lehtësuar 3-fish, ju japim mundësi, e para, që të zhvilloheni me investime të reja dhe besoj, menjëherë, ju do mendoni për një investim të ri për tu zgjeruar, për tu konsoliduar dhe e dyta, për të rritur punësimin dhe për të rritur pagat”, tha Rama.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë në detyrë, Arben Ahmetaj tregoi dhe kategoritë e tjera të sipërmarrjeve, por dhe qyetarëve që preken nga paketa e re fiskale.
“Kemi vazhduar me agrobiznesin, me të gjithë biznesin bujqësor, në kuadrin e shtytjes, mbështetjes së biznesit bujqësor, me qytetarët, klasën e mesme, me uljen e tatimit mbi të ardhurat personale. Paketa vazhdon me mbështetje po për bujqësinë, me uljen e TVSH-së, pra me zerimin e TVSH-së për inputet bujqësore dhe me normë të reduktuar për një sërë aktivitetesh të TVSH-së. Është viti me rritjen më të madhe ekonomike për Shqipërinë krahasuar në rajon”, tha Ahmetaj.
Sipas ministrit Ahmetaj, 91% e sipërmarrjeve në vend paguajnë 0 ose 5% tatim-fitimi dhe 98% e të punësuarve që paguajnë 5.5% taksë pune./abcnews.al