Vijon lufta gjykata-qeveri për pagat e magjistratëve, ndërsa 17 shtatori nuk është larg, kur do të miratohet ligji, që e mundëson diçka të tillë. Kryeministri Edi Rama reagoi pasi Gjykata Administrative vendosi për zhbllokimin e pagave për GJKKO-në dhe Gjykatën e Durrësit, duke i kujtuar se njësoj duhet të veprojë dhe për çështjet që qëndrojnë në sirtarët e saj.
“Sikur Gjykata Administrative të kishte standard për çdo qytetar apo institucion në hall, shpejtësinë e skëterrës me të cilën paska vepruar sot për të hapur dyert e thesarit për rritjen e rrogave të veta pa miratimin e parlamentit, unë besoj se çdo shqiptar i punësuar do ishte gati t’ia falte një gjysmë rroge vrapuesve fluturakë të Gjykatës Administrative…”
Ky veprim i Administratives, sipas Ramës, është i pari në historinë e botës, që ai thotë se është një akt në shkelje dhe cenim të ligjit.
“Por të marrësh sa hap e mbyll sytë masën e parë të sigurisë në historinë e botës, jo për të ndaluar, po për të nxitur për interesin vetjak ekzekutimin e një akti që me gjasë cenon ligjin dhe interesin publik, ndërkohë që mijëra e mijëra dosje hallesh presin me vite në sirtarët e gjykatës në fjalë, kjo është diçka tejet turbulluese!”
Gjyqtarët kanë vendosur vetë për formulën e rritjes së pagave, ndërsa ligji ende nuk ka kaluar për miratim në Kuvend.
Sipas të dhënave të bëra publike nga kryeministri, magjistratët kanë miratuar një rritje rroge me 51% më tepër. Shtesa më e madhe e kërkuar është nga SPAK dhe GJKKO, me mbi 321 mijë lekë më tepër, duke e çuar pagën në rreth 10 mijë euro.
Ministria e Financave ka sqaruar se bonusi i gjyqtarëve llogaritet në rreth 40 milionë euro në vit, kosto e shtuar për buxhetin e shtetit. Por kjo është shifra e vetme që do të zbritet nga taksat dhe kontributet e qytetarëve. Gjyqtarët kërkojnë edhe rishikimin e pagave për periudhën 2023–2026, me efekt në buxhetin e shtetit 125 milionë euro.


