Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve të shoqatave të gjyqtarëve dhe prokurorëve për rritjen e pagave, duke e cilësuar retorikën e tyre si “gjuhë ultrasi” dhe jo si qëndrim dinjitoz gjyqësor.
Rama theksoi se politika e pagave mbetet kompetencë ekskluzive e qeverisë dhe parlamentit, duke refuzuar çdo imponim apo presion përmes mjeteve juridike e politike. Pavarësisht përplasjes publike, ai nënvizoi se tryeza e dialogut ndërmjet pushteteve mbetet e hapur për gjetjen e një zgjidhjeje institucionalisht të qëndrueshme.
“E pabesueshme, po e vërtetë që një gjykatës e kupton kështu pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe e shikon kështu buxhetin e shtetit shqiptar…”
Kurrë jo, kjo nuk është gjuhë gjykatësi, po gjuhë ultrasi që bërtet në rrugë kundër VAR-it.
Keqardhje dhe disa të vërteta të thjeshta:
Askush nuk e zëvendëson dot parlamentin dhe as nuk e urdhëron dot legjislativin se kur duhet ta ngrejë dorën. Vetëm Gjykata Kushtetuese e askush tjetër, ka të drejtën dhe detyrën t’i thotë se kur e ka ngritur dorën gabim, po as ajo vetë nuk i thotë dot kurrsesi pushtetit të pavarur legjislativ se si duhet ta ngrejë dorën.
Politikën e pagave e propozon vetëm qeveria, e miraton vetëm parlamenti dhe e zbaton vetëm qeveria. Gjykata Kushtetuese ndërhyn vetëm nëse cënohet një parim a një normë kushtetuese, që ligjvënësit duhet ta riparojnë pa u cënuar në pavarësinë e tyre, siç e shohin ata të udhës të shprehen me votën e tyre.
Nëse largqoftë, shoqatat e prokurorëve e të gjykatësve kanë vendosur që me mjete politike dhe juridike të koordinuara me zyrat e prokurorive e të gjykatave si një ushtri e rreshtuar kundër qeverisë, të na imponohen me kallzime, sigurime a përmbarime për të rritur pagat e tyre, atëherë jemi përpara një sfide të një lloji të ri, e cila nuk na tremb po na shqetëson pamasë. Por ne nuk duam të jetë kështu dhe unë nuk dua ta lejoj që të ndodhë kështu, sepse ndryshe nga si e mendon ky gjykatësi mediatik, kjo e pagave stratosferike, për ne nuk është çështje inati po sfidë shtetbërjeje europiane e Shqipërisë.
Eshtë shumë e thjeshtë. Tryeza e përgatitur për takimin e kërkuar dhe të anulluar vazhdon të jetë gati. Në 17 shtator mbaron vetëm ky episod i tensionuar publikisht, që mund dhe duhet të ishte shmangur, por nuk shteron nevoja për të komunikuar mes pushteteve të pavarura. Përkundrazi, ajo nuk lindi nga episodi i pagave dhe do të jetë edhe më e madhe në çdo hap deri në anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Por ne tryezën dhe gatishmërinë kemi, të tjerat janë në gjykimin e gjykatësve:-)”, tha Rama.

