Ku e ke maskën? Gjobiten 356 qytetarë, 7 në komisariat pasi refuzuan të japin kartën e ID

schedule18:05 - 18 Tetor, 2020

schedule 18:05 - 18 Tetor, 2020

Policia e shtetit ditën e sotme në të gjithë vendin ka gjobitur 356 qytetarë, të cilët janë evidentuar pa maskë mbrojtëse për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Ndërkohë që 7 qytetarë janë shoqëruar në polici, pasi në  momentin që janë kapur pa maskë kanë refuzuar që të japin gjeneralitetet duke përfunduar në komisariat. Pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit janë ndëshkuar me masën administrative 3000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.

“Krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, punonjësit e Policisë kanë vijuar kontrollet në terren, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.

Gjatë 24 orëve të fundit, shërbimet e Policisë, gjatë kontrolleve, kanë konstatuar një ulje të ndjeshme të qytetarëve që nuk zbatojnë masën për mbajtjen e detyrueshme të maskës. Shumica e qytetarëve, edhe gjatë mbrëmjes së djeshme, edhe gjatë ditës së sotme i kishin vendosur maskat mbrojtëse.

Gjatë kontrolleve janë konstatuar edhe qytetarë që nuk i kishin vendosur maskat dhe për këto raste, shërbimet e Policisë në të gjithë vendin kanë vendosur 356 masa administrative me vlerën 3.000 lekë secila.

Edhe numri i qytetarëve që kanë tentuar t’i shmangen masës administrative duke mos i dhënë gjeneralitetet punonjësit të Policisë, kur janë konstatuar pa vendosur maskën, është ulur gjatë 24 orëve të fundit. Janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 7 shtetas, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit janë ndëshkuar me masën administrative 3000 lekë dhe janë lënë të lirë.

Policia e Shtetit ka rritur prezencën e shërbimeve të Policisë me uniformë dhe të punonjësve të Policisë Kriminale në territor, të cilët vijojnë patrullimet dhe kontrollet në të gjithë vendin, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe monitorimin e masave anticovid, të cilat parandalojnë përhapjen e këtij virusi.

Policia e Shtetit falënderon edhe njëherë qytetarët që respektojnë këtë masë mbrojtëse dhe apelon që të gjithë të vendosin maskat mbrojtëse, pronarët e lokaleve të respektojë protokollet e sigurisë dhe të mos kundërshtojnë urdhrin e punonjësve të Policisë, pasi Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, ndaj dhe është i rëndësishëm zbatimi i kësaj mase mbrojtëse  për parandalimin e  infektimit me COVID-19.

Ndërkohë, Policia e Shtetit fton qytetarët që të mbështesin dhe të bashkëpunojnë më shumë me Policinë, të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri që cenon rendin e sigurinë, jetën dhe pronën e qytetarëve, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm” thekson policia. Prej ditës së enjte në Shqipëri kush kapet pa maskë jashtë gjobitet me 3 mijë lekë, ndërsa nëse përsërit shkeljen 5 mijë lekë./ db/Abcnews.al