Zyrtari i OSBE ka habitur jo pak me qendrimin që ka mbajtur sot për median në Maqedoninë e Veriut, duke u shprehur pro vetërregullimit. Këtë qendrim në fakt prisnin edhe gazetarët në Shqipëri, por dje përfaqësuesi i OSBE Harlem Désir deklaroi se është pro paketës “antishpifje” të qeverisë Rama.
Deklarata e OSBE për Maqedoninë e Veriut
Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, shprehu mbështetjen e tij për regjistrin për vetërregullimin e mediave online në Maqedoninë e Veriut, i cili u njoftua sot nga Këshilli i Etikës së Medias së bashku me Shoqatën Gazetarët e Maqedonisë dhe Dhoma Ekonomike.
“Vetërregullimi i mediave është një mekanizëm i dobishëm për promovimin e informacionit cilësor, ruajtjen e lirisë së editorialit dhe forcimin e besueshmërisë së mediave,” tha Désir.
Nisma synon të promovojë vetërregullimin e mediave online përmes, ndër të tjera, financimit transparent; angazhimin e mediave në internet për të respektuar Kodin e Gazetarëve; dhe publikimi i vendimeve nga Këshilli i Etikës së Medias.
“Shpresoj që kjo punë e përbashkët nga disa organizata në Maqedoninë e Veriut të jetë e dobishme për platformat e mediave online, si dhe për komunitetin e gjerë të mediave,” përfundoi Désir.
Deklarata e Désir, një ditë më parë, për median në Shqipëri (Ligji për median, OSBE: Draftet janë përmirësuar, do punojmë për uljen e gjobave)





