Opozita u rikthehet protestave, Basha: Në 8 korrik protesta e 10-të kombëtare

schedule19:30 / 03/07/2019

Opozita ka thirrur një tjetër protestë kombëtare të hënën në 8 korrik. Kjo është protesta e parë pas zgjedhjeve të 30 qershorit, të cilat opozita nuk i njeh. Për këtë arsye kryebashkiakët e opozitës deklarojnë se nuk do të lirojnë zyrat.

Opozita do t’u rikthehet protestave, edhe pas 30 Qershorit. Kreu demokrat Basha e komunikoi personalisht këtë vendim për protestën e 10 kombëtare, të marrë pas takimit me Kolegjin e Kryetarëve.

“Ftoj të gjithë këta qytetarë dinjitozë të Shqipërisë evropiane , nëna dhe baballarë, të rinj dhe të reja, prindër bij e bija nënash shqiptare të na bashkohen ditën e hënë ora 20 : 00 në një protestë të madhe kombëtare , për të qëndruar të bashkuar. Me mirënjohje të thellë dhe me besim tek vetvetja dhe tek njëri tjetri dhe për të vazhduar të vendosur pa asnjë hap pas betej tonë për çmontimin e diktaturës, për demokracinë, kushtetutën,  për lirinë, fëmijët, familjet tuaj si dhe të ardhmen e Shqipërisë Europiane. Ditën e hënë në Tiranë në orën 20:00″, tha Basha.

Më herët në selinë blu Kryebashkiakët opozitarë u takuan sërish me Lulzim Bashën, takim pas të cilit deklaruan se ata nuk do të lejojnë transferimin e pushtetit vendor tek të sapozgjedhurit në 30 qershor.

Vendimi i drejtuesve opozitar të pushtetit vendor u bë publik 3 ditë pas zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, të cilat opozita vazhdon t’i quajë ilegjitime. /abcnews.al

schedule19:30 / 03/07/2019