Opozita tryezë paralele për Reformën Zgjedhore, Kryemadhi: Nuk kemi ftesë

schedule15:35 - 23 Tetor, 2019

schedule 15:35 - 23 Tetor, 2019

Ekspertët zgjedhore të opozitës së bashkuar nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e Reformës Zgjedhore që do të zhvillohet në Kuvend.

Mesditën e të mërkurës, Lulzim Basha zhvilloi një takim në selinë blu me aleaten e tij të LSI, Monika Kryemadhi e cila në fund të takimit për ABC NEWS sqaroi se opozita po punon për paraqitjen e drafti të saj për Reformën Zgjedhore.

“Nuk kemi ndonjë ftesë. Unë di të them që komisioni i Frontit Opozitar për Reformën Zgjedhore është ngritur, ka punuar ka përgatitur gati draftin dhe shumë shpejt është për ta bërë prezent”, tha Kryemadhi.

Burime zyrtare nga Partia Demokratike bëjnë të ditur për ABC NEWS se në orën 09:30 ekspertët zgjedhore të opozitës do mblidhen mes tyre për të diskutuar mbi këto propozime.

“PD dhe opozita i mbetet qëndrimit publik, te shpallur në tryezën e organizuar nga OSBE. Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë për reformën zgjedhore në një mënyrë transparente, gjithpërfshirëse dhe barazi të plotë me palën tjetër. Këto nuk i garanton komisioni jo-legjitim i reformës zgjedhore. Opozita është thellësisht e angazhuar me Reformën Zgjedhore.

Ne kemi bërë të qarte tek Tryeza e organizuar nga OSBE që duam të japim kontributin tonë për Reformën. Për këtë qëllim, nesër në orën 9.30, do të mblidhet grupi i punës së opozitës se bashkuar për reformën zgjedhore” “, thanë për ABC NEWS, burime nga selia blu.

Një ditë më parë, aleatët e Partisë Demokratike, Fatmir Mediu, Dashamir Shehi dhe Nard Ndoka kërkuan që ekspertët zgjedhorë të opozitës të marrin pjesë në mbledhjet e zhvilluara në Kuvend. /Juxhin Mustafaraj-abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!