Analisti politik Arben Meçe, i ftuar në “Tirana Live” në ABC News, ka komentuar zhvillimet e fundit në opozitë dhe sjelljen politike të Sali Berishës, duke i cilësuar ato si të përsëritura dhe jashtë normales.
Sipas Meçes, opozita ndodhet në një fazë ezaurimi, ndërsa veprimet dhe deklaratat e Berishës nuk prodhojnë më shpresë apo alternativë për qytetarët, por synojnë vetëm krijimin e përditshëm të një ngjarjeje mediatike.
Ai theksoi se Partia Demokratike është e uzurpuar nga një “sekt”, çka po pengon mendimin opozitar dhe përfaqësimin real të qytetarëve, duke nënvizuar se ndryshimi në opozitë do të vijë vetëm me largimin e Berishës nga drejtimi i PD-së.
“Do të vazhdojë çdo ditë e njëjta skemë. Nuk e di se çfarë po prodhon. Nuk gjen më asnjë mekanizëm për të analizuar sjelljet e Berishës. Nuk ka një njeri normal që të dalë 3 herë në konferenca shtypi dhe thotë gjithmonë të njëjtat gjëra. Sot ngaqë s’kishte se çfarë të thoshte, në dyert e SPAK ka thënë çudira. Në këtë kuadër dhe në këtë logjikë, produkti do të jetë ky që pamë sot. Shenjat tregojnë që ‘sekti Berishian’ është i ezauruar në Shqipëri.
Opozita duhet të prezentë ndaj qytetarit, jo ndaj medias. Kjo situatë, e kësaj proteste/foltoreje nuk është normale. Vetëm një psikoanalist mund të zbërthejë këto veprime anormale të Berishës. Rëndësi për Berishën ka që çdo ditë të prodhojë një ngjarje. Nuk duhet të gëzojmë që kemi këtë opozitë. Nuk është në favorin tonë kjo opozitë. Uzurpimi i opozitës nga një sekt sjell këtë produkt. PD është një sekt, që nuk mbështetet nga asnjë moral. Berisha nuk, prodhon asnjë fije shprese tek qytetari shqiptar dhe po ndrydh mendimin opozitar. Ndryshimi do të vijë ditën që Berisha do largohet nga drejtimi i PD”, tha Meçe.


