Opozita parlamentare thërret Ramën në interpelancë për ngecjen e Alvinit në Siri

schedule16:29 - 22 Tetor, 2019

schedule 16:29 - 22 Tetor, 2019

7 deputetë të opozitës i kanë kërkuar një interpelancë urgjente Edi Ramës si ministër i Jashtëm, për të dhënë shpjegime për rastin e 11 vjeçarit Alvin Berisha që ka ngecur në kampet kurdë në Siri. Iniciatori Andi Përmeti thotë se mjafton vetëm vullneti i qeverisë, për ta kthyer vogëlushin në shtëpi.

Alvini do të zbresë në parlament. Historia e 11-vjeçarit të ngecur në kampet kurde në Siri, ka nxitur deputetin e opozitës së re Andi Përmeti, të kërkojë një interpelacë me Ministrin e Jashtëm për këtë çështje.

Deputeti që ka marrë edhe mbështetjen e 6 deputetëve të tjerë, kërkon shpjegime për rastin e Alvin Berishës, që ndodhet i vetëm në kampet e Sirisë.

Deputeti thotë se rasti i bërë publik nga emisioni italian “Le Iene”, tregonte  qartazi qe mjaftonte vetëm vullneti i shtetit shqiptar për të rikthyer Alvinin pranë familjes.

“Një rast i cili nuk mund të lihet në heshtje. çdo prind duhet të vendosë veten në vendin e Afrimit dhe duhet t’i kërkojë llogari qeverisëse çfarë masash po merr në rastin konkret dhe sa kohë do t’i duhet Alvinit të bashkohet me familjen”.

Në deklarimet e tij pas emisionit, kryeministri Rama është shprehur se rasti i Alvinit apo të ngjashme me të, janë komplekse dhe jo të thjeshta, por qeveria po punon me partnerët për të gjetur zgjidhje.

Teksa detyrat e Ministrit të Jashtëm i kryen Gent Cakaj, interpelacën në parlament si Ministër duhet ta mbajë vetë Edi Rama, pasi ën mungesë të dekretit presidencial, Cakaj nuk ka hyrë kurrë në sallën plenare./ABC News Albania