Demokratët e hodhën e zeza mbi të bardhë zgjidhjen e tyre, dhe është ligjore.
Me amendamente ligjore por edhe Kushtetuese, kërkojnë sjelljen e ligjshmërisë në veprimtarinë e Parlamentit. Për këtë arsye kanë ri-shkruar dy nene të ligjit “për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë” si dhe nenin 179 të Kushtetutës. Kjo e fundit, pikërisht pika 13 e nenit të dispozitës kalimtare kushtetuese, parashikonte zgjedhjen e prokurorit të përkohshëm me 3/5 e votave pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit. Ishte ky nen edhe pika kryesore e bazës ligjore të shkeluar nga mazhoranca, e cila zgjodhi Arta Markun vetëm me 69 vota.
Amendamentet e demorkatëve, të cilët kërkojnë pikërisht ndryshimin e neneve të cilat i atribuojnë Gjykatës Kushtetuese përpilimin e një liste me kandidatë, pesë më të vlerësuarit e së cilës kalojnë me përparësi procesin e Vettingut. Krahasuar me procedurën e ndjekur nga mazhoranca në zgjedhjen e prokurores së përkohshme Arta Marku, këto ndryshime ligjore e kushtetuese do të rifillonin procesin nga e para, me dallimin se të drejtën e përpilimit të listës me kandidatë e ka një institucion i drejtësisë, Gjykata Kushtetuese, përkundër atij ligjvënës, si ishte rasti i prokurores së përkohshme të votuar nga lista e përgatitur nga Kuvendi i Shqipërisë.
Lista e Gjykatës Kushtetuese votohet në Parlament me 3/5-tat e votave sipas këtyre amendamenteve. Demokratët kanë parashikuar edhe një mekanizëm zhbllokues për rastet kur Kuvendi nuk arrin shumicën e 3/5-tave, duke i lënë atij 10 ditë kohë për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Në përfundim të këtij afati, nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë një emër, i pari në listë zgjidhet automatikisht në postin e Prokurorit të Përgjithshëm me mandat të përkohshëm.
Gjithashtu në amendamentet e përgatitur nga Partia Demorkatike, prokurorit të përkohshëm aktual i mbaron mandati me hyrjen në fuqi të amendamenteve dhe deri në caktimin e prokurorit të përkohshëm, organi i prokurorisë drejtohet nga Këshilli i Prokurorisë.
Informacioni u bë publik pas mbledhjes së deputetëve demokrat të parlamentit në selinë blu. Vetëm pak orë përpara nisjes së seancës plenare e cila çel sesionin e dytë parlamentar të kësaj legjislature, demokratët nisën mbledhjen e firmave të partive të tjera opozitare për depozitimin e kërkesës në Kuvend./abcnews.al