Opozita kundër zgjedhjeve të reja: Është jokushtetuese, qytetarët në Kosovë duan zgjidhje

schedule17:16 - 5 Qershor, 2025

schedule 17:16 - 5 Qershor, 2025

Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku është shprehur kundër mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në të njëjtën datë me zgjedhjet lokale.

Ajo tha se ky propozim nuk është ndërtuar as si ide dhe në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës është e pamundur një gjë e tillë.

Megjithatë, Izmaku duke hyrë në objektin e Kuvendit për vazhdimin e seancës konstituive për herë të 27-të, tha se shpreson se ditëve në vijim mund të ketë një zgjidhje për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Madje tha se nuk mendon se ka dështuar marrëveshja “gjentelmene” mes Kurtit dhe Limajt për ta zgjedhur këtë të fundit kryeparlamentar.

Edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë se kërkesat e qytetarëve për formim të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit janë të arsyeshme.

Të enjten dhjetëra qytetarë u mblodhën para hyrjes së Kuvendit, para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit për herë të 27-të, duke kërkuar nga deputetët tejkalim të ngërçit.

Edhe kreu i PDK Memli Krasniqi, një ditë më parë pas takimit me presidenten Osmani për konsultim për një datë mbi zgjedhjet lokale u shpreh se nuk është dakord që të mbahen në të njëjtën ditë edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Kjo ide u hodh nga deputetja e VV Albulena Haxhiu, e cila përfaqësoj kryetarin e saj ne takimin me presidenten.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!