Opozita greke akuzon Zaev: Përdor ende emrin Maqedoni

schedule18:44 - 31 Janar, 2019

schedule 18:44 - 31 Janar, 2019

Opozita dhe një pjesë e mediave në Greqi akuzojnë kryeministrin Zoran Zaev se po përdor ende termin Maqedoni për vendin e tij. Por zëdhënësi i qeverisë greke u shpreh se periudha kohore aktuale, e lejon formalisht përdorimin e emrit kushtetues që Maqedonia e Veriut mban që nga pavarësia e saj.

Edhe pse ka kaluar vetëm një javë nga dita kur parlamenti grek miratoi marrëveshjen e Prespës, partitë opozitare dhe një pjesë e madhe e medias, theksojnë pa pushim se kryeministri Zoran Zaev vazhdon ta quajë vendin fqinj me emrin Maqedoni. Kundërshtarët e marrëveshjes kapen pas këtij fakti, për të vënë me shpatulla për muri kryeministrin Tsipras dhe 153 deputetët që votuan pro.

Ndërkaq, zëdhënësi i qeverisë greke, Dimitris Tzanakopoulos, u shpreh se periudha kohore aktuale, e lejon formalisht përdorimin e emrit kushtetues që Maqedonia e Veriut e mban qysh në pavarësimin e saj. Në të njëjtën linjë edhe ministri alternat i punëve të jashtme, Jorgos Katrougalos, nënvizoi duke folur në televizionin publik se “marrëveshja ende nuk ka hyrë në fuqi”, gjë që sipas tij do të bëhet pas miratimit edhe nga ana e Athinës të protokollit të anëtarësimit të vendit fqinj në NATO.

Të njëjtin shpjegim dhanë burime diplomatike të pyetura TV Klan, duke shtuar se deri në ratifikimin e protokollit të NATO-s nga Athina, vendi fqinj do të përdorë emrin Republika e Maqedonisë dhe pala greke do të vazhdojë ta emërtojë Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.

Që protokolli i anëtarësimit në NATO të mbërijë në Athinë, duhet që më parë të nënshkruhet nga gjithë vendet e tjera anëtare. Parlamenti grek do të jetë i pari që do ta ratifikojë protokollin. Kjo ka shumë gjasë të kryhet brenda dhjetë ditëve të ardhshme. Pastaj do të vijojnë parlamentet e vendeve të tjera anëtare, në një procedurë që sipas vlerësimeve të Athinës mund të zgjasë edhe një vit. Edhe pse asnjë nga shtetet e tjerë nuk ka kundërshtim që Maqedonia të jetë vendi i 30-të anëtar i NATO-s./abcnews.al