Opozita bllokon foltoren e Kuvendit/ Basha: Kushtetuta ka rënë

schedule14:00 - 24 Maj, 2018

schedule 14:00 - 24 Maj, 2018

Njëlloj si ish kryeministri Berisha një ditë më parë në ABC News, edhe kryetari i PD deklaroi nga foltorja e Kuvendit se Kushtetuta ka rënë. Sipas Lulzim Bashës gjithçka bën mazhoranca është një teatër kukullash. Pas shfaqjes së opozitës me parullë në foltore, seanca është ndërprerë nga kreu i kuvendit, ndërsa kryetari i Partisë Demokratike ka vazhduar të flasë në video live në rrjetin social Facebook.

Për të tretën javë radhazi opozita ka marrë fjalën në parlament për të vijuar denoncimin e gjendjes në të cilën është vendi.

“Parlamenti ka shkelur ligjet, Kushtetuta ka rënë, kodi ka rënë, kodi i procedurës penale ka rënë, ligji antimafia ka rënë,  sa kohë që në atë karrrige (të lënë bosh për turp e faqe të zezë) është ulur Fatmir Xhafa dhe Edi Rama, që janë zbuluar para mbarë shqiptarëve e mbarë botës si hartuesit e zbatuesit e një skenari kriminal, i cili ka për qëllim të mbulojë veprimtarinë kriminale të Fatmir Xhafajt në ndihmë të vëllait të tij Agron Geron Xhafaj, të mbulojë komplotin antiligjor dhe antikushtetuese”.

Në përfundim të 3 minutave që rregullorja e Kuvendit i jep fjalës së marrë për procedurë, deputetët demokratë zbatuan strategjinë tashmë të njohur.

“Zoti Basha mund të uleni edhe njëherë ju kërkoj të lejoni zhvillimin normal të seancës”.

Me devizën “Shqipëria si gjithë europa! Jo qeverisë së krimit dhe drogës”  të shpalosur pas krahëve të tij.

“Ndërpritet seanca, 10 minuta pushim”.

Kreydemokrati Lulzim Basha vijoi fjalën përmes rrjetit social facebook.

“Filloi t’i bjerë dajres së shpuar se opozita po saboton projektin europian të shqiptarëve. Ti Edi Rama ke dështuar që Shqipërisë t’i hapen bisedimet. Je e vetmja pengesë për hyrjen në BE. BE nuk është ERTV”.

Pas dy ndërprerjesh të sencës dhe rreth 30 minutash transmetim direkt në facebook, grupi parlamentar demokrat braktisi sallën për t’iu drejtuar selisë së Partisë Demokratike. /abcnews.al