Opozita 4 orë në protestën e radhës “Rama ik” (Video)

schedule23:40 - 13 Prill, 2019

schedule 23:40 - 13 Prill, 2019

Nisi me një tubim prej një orë e gjysmë tek Kryeministria, ku pasi lideri demokrat Lulzim Basha mbajti një fjalim, protestuesit menjëherë thyen kordonin e sigurisë tek Kryeministria, por nuk tentuan të sulmojnë godinën. U hodh vetëm bojë ndaj godinës, ndërsa fermerët qëlluan me domate dhe derdhën qumështin.

Protestuesit ishin që aty të dhunshëm, pasi hodhën vazhdimisht kapsolla, shashka dhe tymuese ndaj policisë. Krejt papritur, protestuesit u zhvendosën drejt Parlamentit, aty ku pati sulme të njëpasnjëshme për të goditur institucionin e Kuvendit të Shqipërisë.

Aty policia u detyrua të përdorë disa herë gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën sa herë që ata afroheshin për të sulmuar Kuvendin. Në mesin e protestuesve kishte shumë persona me maska të cilët me flakadanë në duar kanë hedhur tymuese dhe kapsolla ndaj policisë, ku për pasojë mbetën efektivë të plagosur me djegie në fytyrë.

Një tubim që mbahet në një ditë me reshje shiu, PD-ja u ka shpërndarë protestuesve rreth 1 mijë çadra të njëjta me mbishkrimin “Ik”.

Policia e Shtetit ka marrë masat për mbarëvajtjen e tubimit me kamera sigurie, dronë, agjentë civilë, mbi 1500 efektivë policie, automjete të hedhjes së ujit dhe autoblinda.

Ndërkohë, kryeministri Rama ndodhet në një vizitë zyrtare jashtë vendit. Kjo është protesta e tretë kombëtare në 2 muaj dhe e teta, bashkë me protestat tek Parlamenti.

Ora 18: 50- Basha ka marrë fjalën në protestën e 9 të opozitës të mbajtur para Kryeministrisë. 

“Po bie muzgu i zi për bandën kriminale në pushtet. Po bie muzgu i zi për bandën e korrupsionit, padrejtësive dhe krimeve të përditshme ndaj shqiptarëve. Që nga koha e pushtuesve më mizor, nuk kanë parë shqiptarët një bandit kaq kriminel dhe barbar ndaj popullit, një njeri që do të hyjë në histori si njeri që hodhi gaz në shtëpitë e qytetarëve.

Ky muzg është muzgu i bashkimit më të madh të shqiptarëve mbi rrënojat e pushtetit kriminal të Edi Ramës. Rama ik!

As gazi lotsjellës, as propaganda e shfrenuar nuk na ndal dot, nuk na përçan dot. Shqipëria është e bashkuara. Kjo është Shqipëria e burrave dhe grave, e myslimanëve dhe të krishterëve, e të djathtës dhe të majtës, që i thonë shporru, largohu, Rama ik! Kjo është Shqipëria e vërtetë e qindra mijëra halleve të shtuara nga një kryeministër që asnjë ditë të vetme nuk i dëgjoi hallet e shqiptarëve sepse ata punojnë për vete, për oligarkët, për armiqtë e popullit shqiptar”.

Ora 18:30 – Lulzim Basha del nga selia e Partisë Demokratike dhe prezantohet si Kryeministri i ardhshëm.

Ora 18: 00- Opozita në protestë para Kryeministrisë

Nis protesta e opozitës së bashkuar përpara Kryeministrisë. Qytetarë nga i gjithë vendi por edhe mbështetës të partive opozitare kanë mbërritur në Tiranë për të marrë pjesë në protestën e thirrur nga Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare. Disa tubues janë mbledhur para selisë së blu, ku po presin daljen e liderit të kësaj force politike, për t’u zhvendosur drejt Kryeministrisë.

Ndërsa të rinj dhe mbështetës të opozitës me pankarta të shumta kërkojnë largimin e Kryeministrit, ku në çadrat e tyre lexohet  “Rama Ik”.

Por nga momenti në moment, pritet që edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, bashkë me simpatizantët e kësaj force politike, të nisen nga selia e tyre, për t’u bashkuar me protestuesit para Kryeministrisë./abcnews.al