Mallrat serbe në Kosovë/ Oda ekonomike amerikane apel qeverisë Kurti: Të shqyrtohen urgjentisht masat!

schedule12:47 - 5 Shtator, 2023

schedule 12:47 - 5 Shtator, 2023

KOSOVË – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i kërkon qeverisë së Albin Kurtit që të rishikojë masat kufizuese për importet nga Serbia pasi po pengojnë ndërmarrjet ndërkombëtare.

Sipas të dhënave zyrtare importet nga kompanitë me pronësi amerikane u ulën me më shumë se 39% vitin e kaluar, një kambanë alarmi e quan Oda Amerikane në Kosovë këtë tregues. Ata kërkojnë ndërhyrje emergjente që mbështesin rritjen ekonomike dhe bashkëpunimin rajonal mes vendeve.

“Çdo pengesë për tregtinë, si ky ndalim, ka ndikuar pashmangshëm në rritjen e çmimeve të konsumit, duke rënduar më tej buxhetet e familjeve të Kosovës. Aq më tepër, në rrethana kur Kosova tashmë ka hequr ndalesën për importin e lëndëve të para dhe produkteve gjysmëfinale nga Serbia, është e pakuptimtë dhe ironike që të mbahet në fuqi masa e cila ndalon importin e mallrave që përbëjnë interesa komerciale ndërkombëtare” shton ndër të tjera Oda Amerikane, e cila më herët paralajmëroi edhe tërheqjen e investitorëve amerikanë nga Kosova ndikuar nga klima e tensionuar në veri të vendit.

Sipas Odës Amerikane barrierat e vendosura në tregti nga Kosova për importet nga vendet fqinje janë shqetësuese dhe masa të tilla thekson ajo shkojnë në kundërshtim me thirrjet e ndërkombëtarëve për integrimin euroatlantik të Kosovës.

Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë shkon përtej interesave bilaterale thotë Oda Amerikane në Kosovë dhe do të shërbente si një strategji për integrimin europian./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!