Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar të hënën se numri i rasteve me koronavirus në të gjithë globin është në nivelet më të larta, që nga fillimi i pandemisë, shkruan abcnews.al
Duke folur në konferencën për shtyp të mbajtur të hënën nga Gjeneva, Adhanom Ghebreyesus, drejtuesi i organizatës tha: Në katër ditët e fundit kemi regjistruar numrin më të lartë të rasteve të raportuara deri më tani.”
Ai shtoi më tej: “Në të gjithë botën, ne tani po shohim një rritje të numrit të rasteve të raportuara me Covid-19, veçanërisht në Evropë dhe Amerikë”.
Tedros paralajmëroi gjithashtu kundër idesë së imunitetit të tufës.
Kreu i OBSH shtoi: “Imuniteti i tufës kundër fruthit kërkon që rreth 95% e popullatës të vaksinohen. 5% i mbetur do të mbrohet nga fakti që fruthi nuk do të përhapet në mesin e atyre që janë vaksinuar. Me fjalë të tjera, imuniteti arrihet duke mbrojtur njerëzit nga virusi, jo duke i ekspozuar ata ndaj tij. Imuniteti i tufës nuk është përdorur kurrë si një strategji për t’iu përgjigjur një epidemie, aq më pak një pandemie. Është shkencërisht dhe etikisht problematik.” s.b/abcnews.al/