Heqja e kufizimeve në mënyrë të ngadaltë dhe të kujdesshme është çelësi drejt fitores së luftës kundër koronavirusit. Kështu ka deklaruar drejtuesi i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Shumë vende të botës kanë nisur tashmë që të lehtësojnë masat shtrënguese por disa prej tyre, si Koreja e Jugut apo Gjermania, kanë regjistruar rritje të numrit të të infektuarve pas këtyre ndryshimeve.
Kreu i OBSH paralajmëroi se heqja e karantinës është një proces kompleks dhe i vështirë, por shtoi se si Koreja e Jugut ashtu edhe Gjermania e Kina e kanë sistemin e duhur për të menaxhuar rastet e shtuara.
Për të lehtësuar kufizimet, vendet përkatëse duhet të jenë të sigurt se epidemia është nën kontroll, që sistemet e tyre shëndetësore mund të përballen me një rritje të rasteve dhe që kanë një sistem në vend për të gjurmuar dhe izoluar rastet, thotë OBSH.
Po ashtu, organizata ka lëshuar udhëzime të reja që këshillojnë shkollat të sigurojnë që distanca fizike të jetë e garantuar gjatë rihapjes dhe nisjes së lëvizjeve. /abcnews.al/