Sondazh

Dendias në Tiranë, rihapet çështja e detit, mendoni do ketë ndikim në integrimin europian?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“O rrush…” Shqiptari që po ‘çmonton’ stereotipet në skenat greke

schedule13:14 - 30 Prill, 2026

schedule 13:14 - 30 Prill, 2026

Në një lidhje direkte për ABC e Mëngjesit, komediani Kristo Makariadis rrëfen historinë e tij të veçantë, një rrugëtim mes dy botëve, ku paragjykimet dhe vështirësitë janë kthyer në material për të qeshura… dhe reflektim.

I lindur në Vlorë dhe i rritur në Greqi, në Kretë, jeta e tij mori formë mes dy kulturave që shpesh përplasen, por në skenën e tij bashkohen në mënyrë brilante. “Familja ime emigroi rreth 30 vite më parë. U rrita në një realitet që më mësoi shumë shpejt çfarë do të thotë të jesh ‘ndryshe’”, tregon ai.

Humori nuk ishte thjesht pasion, por shpëtim. Fillimisht si një mënyrë për të përballuar përditshmërinë e emigrantit, më pas si një armë për të thyer stereotipet. Nga Kreta në Selanik e Athinë, Makariadis ka ngjitur skenat e qyteteve më të mëdha në Greqi, duke mbushur sallat me publik që gjen veten në historitë e tij.



“Gjithçka nisi nga situata reale. I ktheva në humor dhe pashë që njerëzit identifikoheshin menjëherë. Jeta mes dy kulturave të jep pafund kontraste dhe aty lind komedia”, thotë ai.

Temat që trajton nuk janë të lehta: emigracioni, familja, paragjykimet, identiteti. Por ai i sjell me finesë, pa ofenduar, duke ruajtur një ekuilibër të vështirë mes humorit dhe mesazhit.

“Qëllimi im nuk është të godas, por të bëj njerëzit të qeshin dhe të mendojnë. Kur humori është i sinqertë, kalon çdo barrierë.”

Dhe kjo duket qartë në reagimin e publikut, grekët e mirëpresin, ndërsa shqiptarët e ndjejnë si një zë të tyrin. Një moment që e ka shënuar fort ishte debutimi në Tiranë: “Kur pashë sallën plot dhe njerëzit që qeshnin me historitë e mia, mu mbush zemra. Aty kuptova se kjo është rruga ime.”

Pavarësisht paragjykimeve që ka hasur, ai beson se humori mbetet mënyra më e fortë për t’i thyer ato:

“Mund të qeshim edhe me veten, edhe me situatat më të vështira. Aty gjendet drita.”

Sot, sfida e tij është të shkojë edhe më tej, me projekte ndërkombëtare dhe më shumë skena për të përfaqësuar shqiptarët me dinjitet. Sepse ndonjëherë, mënyra më e fortë për të treguar një histori… është duke e kthyer në të qeshur.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!