“NYT”: Pentagoni plan ushtarak për Iranin, Trump hedh poshtë zërat

schedule22:09 - 14 Maj, 2019

schedule 22:09 - 14 Maj, 2019

Administrata amerikane ka përgatitur një plan ushtarak për Iranin, nëse aktivitetet e tij do të kërcënojnë interesat e Shteteve të Bashkuara. Lajmi është bërë i ditur nga “Nju Jork Tajms”, por është hedhur poshtë nga presidenti Donald Trump. Ndërkohë, sekretari i Shtetit, Majk Pompeo ka deklaruar se Uashingtoni nuk dëshiron luftë me Republikën Islamike.

Një plan ushtarak i përditësuar, që parashikon dërgimin e 120 mijë trupave në Lindjen e Mesme për t’i bërë ballë Iranit është përgatitur nga Departamenti i Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara. Lajmin e ka bërë të ditur gazeta “Nju Jork Tajms”, sipas të cilës plani parashikon që trupat të kenë funksion reagimi nëse Republika Islamike sulmon interesat amerikane, ose avancon me procesin bërthamor. Sipas “Nju Jork Tajms”, plani i prezantuar tashmë nga shefi i Pentagonit Patrik Shejnahan është përgatitur me urdhër të zyrtarëve që mbështesin linjën e ashpër ndaj Iranit, të udhëhequr nga këshilltari për sigurinë kombëtare, Xhon Bolton. Sidoqoftë, vijon e përditshmja amerikane, plani nuk bën thirrje për një pushtim tokësor të vendit të Lindjes së Mesme. Por presidenti Donald Trump, të martën ka hedhur poshtë lajmin e gazetës prestigjoze, duke deklaruar se nuk ka asnjë plan të tillë. “Unë mendoj se është një “fejk njuz”, dakord? A do ta bëja unë një gjë të tillë? Sigurisht që po. Por nuk e kemi në plan dhe shpresojmë të mos na duhet ta kemi as në të ardhmen”, ka thënë Trump. Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka paralajmëruar se në rast të një skenari të tillë numri i trupave amerikane që do të angazhohen do të jetë shumë më i madh. Ndërkohë, edhe sekretari i Shtetit, Majk Pompeo ka deklaruar se Amerika nuk dëshiron luftë me Iranin, por do të vazhdojë me presionet e saj me qëllim që vendi të heqë dorë nga programi bërthamor. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!