Nxitjet sistematike të Donald Lu për arrestimin e Balilit

schedule15:51 - 15 Janar, 2019

schedule 15:51 - 15 Janar, 2019

Për gati dy vjet ka qenë ambasadori i SHBA-së, Donald Lu, ai që në mënyrë të përsëritur e publikisht e ka evidentuar si dështim të Shqipërisë moskapjen e Klement Balilit edhe pse kishte një mandate arresti për të. ABC Neës ju sjell disa prej këtyre deklaratave që pasqyronin zhgënjimin e SHBA.

Qeveria shqiptare ka qenë gjithmonë në presionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për prangosjen e Klement Balilit të ashtuquajturit  Eskobari i Ballkanit. Në të paktën katër dalje publike ish-ambasadori Amerikan në Tiranë, Donald Lu, ka kërkuar arrestimin  e Balilit. Për herë të parë, Lu kërcënoi autoritet ligjzbatuese në Shqipëri, në rast se nuk arrestohet i shumëkërkuari Klement Balili.

“Si mund ta shpjegojmë ndryshe faktin që trafikanti i paprekshëm i drogës, Klement Balili është ende i lirë. Por nëse në arrestimin e Klement Balilit ish zyrtar në Sarandë përfaqëson një dështim të madh të policisë dhe të sistemit të drejtësisë”, tha Lu.

Më tetor 2017 Donald Lu e pagëzoi Balilin si magjistar, pasi shumë operacione për kapjen e tij kishin dështuar.

“Magjistari Klement Balili, një trafikant droge i kërkuar nga agjencia e DEA-s por që ia ka dalë t’i shpëtojë drejtësisë shqiptare falë paaftësisë së prokurorëve, policisë dhe Ministrisë së Drejtësisë”.

Te shkolla e magjistraturës ambasadori e rendit mes disa emra të famshëm kriminelësh shqiptarë.

“Katër klane kriminale kontrollojnë 20 familje kriminale që menaxhojnë operacione kriminale ku përfshihen trafiku njerëzor, shantazhi, vjedhja e makinave dhe pastrimi i parave”.

Deri në ditët e fundit në detyrë ambasadori Donald Lu nuk la rast pa e nënvizuar si dështim të Shqipërisë mosarrestimin e Klement Balilit.

“Klement Balili, ne amerikanët besojmë se ai është akoma në Shqipëri dhe besojmë se ai do të arrestohet në ditët në vijim. Po shtyjmë shumë për këtë. Dua të theksoj një dështim të qeverisë , prokurorisë dhe policisë, për të arrestuar Klement Balilin. Për dy vjet, policia dhe prokurorët nuk kanë pasur aftësinë apo vullnetin që ta arrestojnë. Askush nuk është mbi ligjin. I bëj thirrje Kryeministrit Rama, ministrit Xhafaj, policisë dhe prokurorëve që të vazhdojnë luftën kundër krimit të organizuar pa mëshirë”.

Cka solli edhe reagimin e vetë kryeministrit pas këtyre shigjetimeve të përsëritura, duke kujtuar edhe Balili kishte qenë një funksionar vendor i zgjedhur nga LSI.

“Unë e mirëkuptoj shqetësimin që nënvizoi nuk e di për të satën herë, miku ynë, ambasadori, për një nga profilet më të larta të krimit të organizuar. Normalisht që padiskutim arritja në kapjen e këtij personazhi të botës së krimit është një domosdoshmëri dhe do të jetë sukses i madh. Mos të harrojmë se nuk ishte 40 vite më parë, vetëm pak vite më parë, ky ishte drejtor, ishte drejtor i lidhur politikisht. Dhe politikisht i provuar drejtor. Dhe çuditërish jo drejtor peshkimi por drejtor transporti. Sot është në kërkim dhe patjetër që në bashkëpunim me partnerët, herët ose vonë do të kapet. Siç tregojnë dhe shembujt nga vendet e tjera, herët ose vonë do të kapet”.

Pavarësisht insistimit të përsëritur publik e jo publik, ambasadori Lu u largua nga vendi ynë pa e parë të ekzekutuar për dy vjet urdhër arrestin për Klement Balilin./abcnews.al