Nxënës, mësues e humbje jete te të miturit, Berati kthehet në “vatër e nxehtë” të koronavriusit

schedule10:42 - 17 Dhjetor, 2021

schedule 10:42 - 17 Dhjetor, 2021

Berati është kthyer prej disa muajsh në një nga qytetet me numrin më të lartë të të infektuarve nga Covid-19 në vend. Burime nga ISHP-ja Berat konfirmojnë se rastet e infektimeve kanë ardhur duke u shtuar nga java në javë dhe më të prekurit nga ky virus mbeten fëmijët e kopshteve e shkollave të qytetit.

Të njëjtat burime konfirmojnë se, vetëm në 48-orët e fundit kanë rezultuar “pozitivë” 18 nxënës të disa shkollave 9-vjeçare e të mesme si dhe 6 mësues, ndërkohë që vetëm ditën e djeshme janë testuar edhe 64 nxënës të tjerë. Të prekur nga virusi SarsCov2 janë edhe 12 fëmijë në 4 kopshte në qytetin e Beratit si dhe 4 edukatore.

Mësohet se në të gjitha kopshtet e shkollat ku janë konstatuar rastet e të infektuarve janë dezinfektuar ambientet dhe janë mbyllur disa klasa.

Infektimet janë shoqëruar edhe me humbje jete tek të miturit por edhe tek të rriturit, mes të cilëve edhe drejtori i njërit prej gjimnazeve më me emër në Berat, që ka edhe numrin më të lartë të nxënësve të infektuar.

Mjekët infeksionistë në ISHP-në Berat pohojnë se të infektuarit janë raste kontakti mes të infektuarve në kopshte e shkolla si dhe kontakte familjare. Sipas mjekëve, ky zinxhir në rritje infektimesh mund të ndërpritet vetëm nëpërmjet vaksinimit pasi-siç edhe pohojnë vetë ata-rastet e të infektuarve me Covid-19 janë të gjithë persona të pavaksinuar.

Mos respektimi i masave anti Covid e ka nxjerrë Beratin një nga qytetet më të ekspozuar dhe me rastet më të larta të të infektuarve me virusin vdekjeprurës Covid-19 si dhe me numrin më të lartë të vdekshmërisë në krahasim me popullsinë.

Ndërkohë që nga dita në ditë është duke u rritur edhe numri i testimeve. Aktualisht në Berat numri i rasteve aktive ka arritur ne 168. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!