Nuk u interesojnë paragjykimet/ Babai me vajzën speciale fenomen në Tik Tok

schedule11:18 - 27 Janar, 2021

schedule 11:18 - 27 Janar, 2021

Ajo është speciale… Familja e saj  edhe më shumë…  Ndërsa ky kërcim është ndoshta më i veçanti që do të shihni në rrjetet sociale…

Jona është qershia mbi tortë e këtyre videove. Ajo është e prekur nga çrregullime të spektrit autik, por familja e saj nuk e ka parë kurrë si pengesë këtë diagnozë.

Ata përpiqen me çdo kusht që të shohin buzëqeshje në sytë e Jonës. E kërcimi duket se i fal asaj lumturi.

“Kjo është një ditë e zakonshme  e jona. Mësojmë  Jonën  për videot e tik tokut më orë të tëra sepse presim momentin që ajo të buzëqeshë.  Sepse këto fëmijë  s’ka zot ti detyrosh të bëjnë diçka kur nuk dëshirojnë. Jona kur nuk ka dëshirë të bëjë video ta merr telefonin e ta fut në xhep.”, thotë Clirim Zajmi, i ati i Jonës.

Videot e familjes së Jonës kanë marrë  mijëra shikime në tik tok dhe Instagram. Por, përvec fjalëve pozitive, prindërit e saj kanë marrë edhe kritika që e kanë ekspozuar Jonën publikisht për atë që ajo është.

“Ne nuk ndikohemi fare nga komentet kritike. Siç I nxjerrin të gjithë fëmijët e tyre, edhe unë do e nxjerr vajzën time. Edhe gocat e tjera i kam paralajmëruar që përpara se të hapnim tik tokun se çfarë do të në priste, kështu që as ato nuk ndikohen.”, thotë i ati i Jonës.

E mes intervistës ka edhe momente xhelozie. Jonës nuk i pëlqen të ndajë me të tjerët  vëmendjen e babait.  Ndaj ajo vjen edhe na ndërpret bisedën më të atin. Epo ka të drejtë, kaloi shumë kohë për të pa vëmendjen e tij…

Marrëdhënia që ka Jona me të atin është e admirueshme. Ai duket se I është përkushtuar tërësisht integrimit të së bijës në shoqëri.

Motrat e Jonës, Olta dhe Ledi lënë kokën pas saj. Edhe pse Jona është më e madhe, për to ajo do mbetet gjithmonë e vogla e tyre.

“Jona na ka mësuar që të tjerët  mos të na interesojnë fare dhe  ti përkushtohemi familjes.”, thotë Olta motra e Jonës.

Ndërsa Ledi, motra tjetër e Jonës na tregon se kur ishte më e vogël e kishte më të vështirë ti kuptonte sjelljet e saj , por tanimë është një mbështetje shumë e madhe për Jonën.

Edhe përsëri një moment xhelozie….Jonës nuk I pëlqen që motrat e saj të shoqërohen me njerëz të tjerë, ndaj nxiton ti marrë prej dore.

E mesa duket mënyra origjinale që I ati dhe motrat kanë zgjedhur të ndërgjegjësojnë shoqërinë mbi autizmin, ka rezultuar efikase.

“Marrim shumë mesazhe nga prindër në të njëjtën pozitë si ne dhe na thonë që familja jonë shërben si shembull për ta dhe videot tona I kanë bërë ti shohin fëmijët e tyre ndryshe.”, thotë babi i Jonës.

Shembuj të tillë mbeten gjithnjë për t’i ndjekur  dhe  vlejnë për të krijuar një shoqëri më të denjë për të ardhmen e fëmijëve tanë. Romina Braho/abcnews.al