“Nuk është për Liverpool, Thiago i prish punë lojës së Klopp”

schedule17:55 - 19 Janar, 2021

schedule 17:55 - 19 Janar, 2021

Thiago Alcantara ishte një nga afrimet e Liverpool në verën e shkuar, teksa kjo aventurë e re e mesfushorit nuk po shkon në mënyrën më të mirë për shkak të dëmtimeve. Dietmar Hamann, ish-futbollist i Gjermanisë dhe Liverpool gjen një tjetër shkak pse Alcantara nuk është ambientuar te kampionët e Anglisë.

 

 

Në një intervistë të dhënë së fundmi ish-mesfushori shprehet se Alcantara nuk është lojtari i duhur për stilin e lojës së Liverpool. Sipas ish-mesfushorit difensiv, spanjolli është një lojtar për një skuadër, që mban më shumë topin dhe sulmon më ngadalë se Liverpool.

“Tifozët u gëzuan shumë me ardhjen e Thiago Alcantara, por ai e ngadalëson aksionin dhe nuk është lojtari i stilit të lojës së Liverpool. Ata gjatë viteve të fundit kanë pasur mesfushorë të zellshëm, që nuk kishin kontrollin dhe teknikën e Thiagos, por e dërgojnë topin te Mane dhe Salah më herët se Thiago dhe kjo i bën të kapin kundërshtarin në befasi.

 

Nuk mendoj se Thiago i jep dinamikë lojës së Liverpool. Ai luan mirë kur ekipi e mban shumë topin, por kjo ngadalëson ekipin dhe ata nuk luajnë lojën e zakonshme të tyre. Ai është lojtar i mirë, futbollist i aftë, por nuk kishte asnjë moment gjatë aventurës së tij te Bayern kur njerëzit thanë se ai ishte i padiskutueshëm në formacion.

Përveç kësaj, ai luan një stil shumë të ndryshëm të futbollit, i pëlqen posedimi. Skuadra e Klopp ka qenë gjithmonë shumë e mirë kur nuk ka topin në këmbë, ata e marrin sferën përsëri dhe sulmojnë shpejt. Thiagonuk është ai lloj futbollisti”, u shpreh Hamann. /abcnews.al