“Nuk e pranoj dot stolin”, Lampard i hap rrugë Giroud

schedule12:33 - 21 Tetor, 2019

schedule 12:33 - 21 Tetor, 2019

Nuk e pranoj dot këtë situatë. Nuk mund të jem fatalist në të tilla kushte. Kam treguar gjithmonë respekt dhe përulësi. Nuk jam dakord me vendimet e trajnerit, por nuk e kritikoj. Gjithsesi, e di se sa vlej dhe nuk mund ta pranoj mungesën e aktivizimit”, u shpreh disa ditë më parë Oliver Giroud.

Sulmuesi francez është aktivizuar vetëm 100 minuta në kampionat dhe 17 minuta në Champions League në këtë fillim sezoni me ekipin e Chelsea. Kontrata me “Blutë e Londrës” përfundon në fund të këtij sezoni dhe nuk përjashtohet një largim i Giroud në janar.

Diçka të tillë e ka konfirmuar edhe Frank Lampard. Trajneri i Chelsea është shprehur se e vlerëson shumë profesionalisht kampionin e botës, por nuk e përjashton largimin e tij në merkaton e dimrit.

Giroud pëlqehet në Itali, Francë dhe Spanjë. 33-vjeçari do të mendohet për të zgjedhur opsionin më të mirë dhe faza e dytë e këtij sezoni mund ta gjejë me një tjetër fanellë mbi supe. /abcnews.al