Noka: Deklaratat e Fatmir Xhafajt për përgjimin e vëllait, fshehje e provave

schedule15:37 - 25 Shtator, 2018

schedule 15:37 - 25 Shtator, 2018

Ndërsa opozita risolli deklaratat e një nate më parë të ministrit të Brendshëm. Nga selia blu, deputeti Flamur Noka akuzoi Xhafajn, se ashtu si kryeministri më parë, deklaroi se disponon prova lidhur me audio-përgjimin që Partia Demokratike denoncoi muaj më parë, si bisedë që implikonte në narkotrafik vëllain e ministrit Xhafaj. Noka i bëri thirrje ministrit të Brendshëm që çdo provë që ka ta paraqesë në prokurori.

Deklaratat e një ditë më parë të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj gjatë një interviste televizive lidhur me video-përgjimin e publikuar nga Partia Demokratike ku pretendohej regjsitrimi i vëllait të ministrit, Agron Xhafaj në një bisedë që e implikonte në narkotrafik.

“Është tjetër gjë të provosh është apo s’është (i vërtetë përgjimi) dhe tjetër gjë të provosh kush dhe përse e ka bërë këtë gjë. Dhe unë kam provat e mia. Kam faktet e mia, padyshim”.

…sollën reagimin e selisë blu.

“Është e qartë se deklarata të tilla janë pjesë e skenarit mafioz për t’i imponuar prokurorisë një rezultat hetimor të paracaktuar. Me veprime të tilla kriminale Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama kanë kryer veprën penale të pengimit të drejtësisë dhe manipulimit të së vërtetës”. 

Nëse ka prova, minsitri i Brendshëm duhet t’i kishte çuar ato në prokurori, thekson Noka, tek ajo për krimet e rënda ku edhe gjendet dosja e njohur me emrin “Babalja”.

“Në një shtet normal ku mbrohet interes publik dhe jo interesi i pushtetit të lidhur me krimin, prokuroria duhet ta kishte hetuar Edi Ramën dhe Fatmir Xhafën, më së paku, për fshehje të provave dhe pengim të drejtësisë”. 

Më herët vetë kryeministri Rama ka deklaruar se ai ka marrë përgjigjen e një laboratori ekspertizë lidhur me zërin e pretenduar nga demokratët se i përket atij të vëllait të ministrit të Brendshëm, por një përgjigje zyrtare nga autoritetet përkatëse hetimore shqiptare ende nuk është bërë publike, katër muaj pas publikimit të videos./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!