Shifrat e Institutit Shtetëror të statistikave flasin për përdorim të drogave nga adoleshentët, të cilëve produkti i jashtëligjshëm u ofrohet edhe pranë mjediseve shkollore. ABC News ka bërë një vëzhgim, duke folur me gjimnazistë të kryeqytetit.
Jo pak adoleshentë shqiptarë kanë provuar bimët narkotike. Gjimnazistët mbeten target grupi që bien shumë lehtë pre e shpërndarësve të kanabisit, jashtë ambienteve të shkollave.
Vetë të rinjtë stepen nga prania e kamerës për të dhënë një përgjigje sa i përket konsumimit të lëndëve narkotike nga bashkëmoshatarët e tyre.
Pavarësisht kësaj, ka nga ata që japin një përgjigje në lidhje me këtë fenomen që thonë se nuk kanë konstatuar konsumim të lëndëve narkotike pranë shkollave.
“Jo unë nuk e bëj shkollën te “Partizani”, jam te “Çajupi” po nuk kam parë”.
“Jo nuk kam parë”.
Të rinjtë më guximtarë pranojnë para kameras se ka bashkëmoshatarë të tyre që kanë përdorur lëndë narkotike në zonat pranë gjimnazeve.
“Po në disa raste, ky është një problem që vazhdon”.
“Kam parë bashkëmoshatarë të mi, por mendoj që ekzsiton në çdo shkollë ky fenomen”.
“Sado ta mohojnë ekziston ky fenomen”.
Sipas një studimi të ISHP-së të 2018, drogat u janë ofruar më shumë se 8 % të të rinjve në mjedise të shkollës, 5,4% e personave të moshës 14-18 vjeç kanë eksperimentuar me kanabis, rreth 4% e tyre me ekstazi, mbi 1.4% heroinë dhe rreth 1.6% e te rinjve kanë eksperimentuar me kokainë./ABC News Albania 24/7