Një muaj pas tërmetit, banorët: Jemi keq, na ndërtoni shtëpitë

schedule14:24 - 14 Korrik, 2019

schedule 14:24 - 14 Korrik, 2019

Një muaj pas tërmetit në Floq të Korçës banorët ankohen se po jetojnë në kushtet e vështira dhe se kërkojnë t’u ndërtohen shtëpitë. Ata thonë se u mungon uji i pijshëm dhe se nuk dinë se si do bëjnë në dimër.

Gërmadhat e shtëpive kanë mbetur aty si në ditët e para të fatkeqësisë natyrore. Të prekurit nga tërmeti në Floq, po kthehen gjithmonë e më rrallë në pronat e tyre nga të cilat kanë mbetur veç dëshmitë e forcës së natyrës.

Prej më shumë se një muaji, në katin e parë të shkollës së fshatit po strehohen familjet, shtëpitë e të cilëve u shkatërruan nga vala e tërmeteve të fillim Qershorit. Bashkëjetesa kolektive sa vjen dhe bëhet më e vështirë nga i nxehti i verës dhe mungesa e ujit, të cilin e sigurojnë në burimet e fshatit.

Të paktë janë ata që merren me punët e bujqësisë. Për të tjerët, dita fillon dhe mbyllet brenda mureve të shkollës.

“Unë që jam invalide rri këtu se s’vete dot. Vapë, pa ujë, shumë keq”, tha një banore.

“Kam frikë të shkoj. Unë frikë kisha pa tërmet, jo tani. Po rrimë këtu në shkollë. Në nuk duam bukë, ne duam shtëpinë të futim kokën. Edhe këtu nuk rrihet”, tha një tjetër.

“S’ka ujë, asgjë, duhet t’i qërojmë vetë ne gratë. Përditë ky avaz”, tha një banore.

Të frikësuar se ardhja e stinës së ftohtë, mund t’ i gjejë ende në këtë shkollë, banorët presin fillimin  e punës për rindërtimin e shtëpive. Zgjidhja më e mirë për ta do ishte zhvendosja e banesave në një tjetër hapësirë, për shkak të dridhjeve të tokës,që nuk ndalin prej pesë javësh.

“Neve duam që të na zhvendosin se nuk kanë pushuar akoma tërmetet. Ka lëkundje akoma. S’kanë marrë vendimin e duhur”, tha banorja.

S’kanë filluar hiç. Jemi keq, jemi keq”,  tha një tjetër.

“I lutemi shtetit të paktën të na japë shtëpitë, të ikim në shtëpitë tona se edhe këtu nuk rrihet”, tha banorja tjetër.

Emergjencat Civile dhe komisionet e vlerësimit,kanë përfunduar vlerësimin e objekteve të dëmtuar dhe pritet vendimi i Këshillit të Ministrave për të filluar fazën e rindërtimit të shtëpive në Floq, Vidohovë dhe Qafëzez.

Sipas prefektit Dhori Spirollari, prioritet do të ketë ndërtimi i banesave të shkatërruara, të cilat janë 124, ndërsa i gjithë procesi pritet të përfundojë brenda vjeshtës.

“Unë besoj që kompanitë që janë afruar i kanë të gjitha mundësitë për ta realizuar këtë objektiv. Nuk mund të luajmë me këto data, por që janë ofruar kompani që do i realizojnë këto. Zona është plotësisht e sigurtë për të ndërtuar. Këtë e tregojnë dhe ndërtesat e reja që nuk u dëmtuan nga lëkundjet e tokës”, tha ai.

Bashkia e Korçës ku dëmet nga tërmeti llogariten në 210 milionë lekë të reja,ka nisur e para procesin duke ndërhyrë për riparimin e oxhakëve të banesave në qytet./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!