Një himn kushtuar Bajramit, Rosela Gjylbegu uron festën në mënyrën më të bukur

schedule08:24 - 13 Maj, 2021

schedule 08:24 - 13 Maj, 2021

Urimi më i bukur për besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramit ka ardhur nga Rosela Gjylbegu. Këngëtarja e mirënjohur ka publikuar projektin më të ri kushtuar kësaj feste. Kënga mban titullin “Duar hapur”, për të cilën Rosela tregoi detaje ditën e sotme në “Abc-ja e mëngjesit”.

Ndryshe ajo e ka cilësuar si Himni i Paqes pasi, siç thekson këngëtarja, aq sa emocionuese, ky material të krijon një ndjesi paqeje. “Nuk u publikua rastësisht por dhe për situatën që ne kaluam dhe po kalojmë. Mesa duket ka një dritë jeshile në fund të tunelit, ka të bëjë me zemërgjerësinë dhe ndjeshmërinë për pjesën më vulnerabël, ka të bëjë dhe me atë që ne duhet të jemi sa më të ndjeshëm ndaj të tjerëve.

Sot në mëngjes kur u zgjova pashë që telefoni ishte “çmendur” nga mesazhet. Ka dalë pardje në Youtube dhe doja ta publikoja pas iftarit të natës së fundit të Ramazanit dhe të uroja Bajramin. Mesazhet dhe urimet ishin të ndjera, më erdhi mirë që emocioni i sinqertë u përçua në zemrat e të gjithëve dhe nuk kishte rëndësi nëse ishin besimtarë të fesë myslimane, kam marrë mesazhe dhe urime nga të gjithë.“, theksoi Rosela. /abcnews.al