Një fshat i tërë po shembet në Lushnjë, banorët duan ta braktisin

schedule13:58 - 25 Mars, 2018

schedule 13:58 - 25 Mars, 2018

Rrëshkitjet e tokës kanë shkaktuar dëme të mëdha në Allprenaj të Lushnjes. Shtëpitë janë dëmtuar dhe banorët kërkojnë të largohen, por nuk kanë se ku të shkojnë.

Familja e Tajar Bllikut është më e dëmtuara. Gruaja e tij, Mirjana, përpiqet të mbushë të çarat e mureve me rroba të vjetra. Të paktën të mos futet era, e cila shkakton lëkundje në çdo dhomë. Këtu banojnë pesë persona, të cilët zgjohen me makthin e shembjes së shtëpisë

“Ka rrëshkitur toka nga shirat e tepërt, ja këto i kam zënë vetëm nga era, se lëre shiu, hyn e hyn, edhe andej e ka marrë ka ikur dheu”

Nga themelet e shtëpive po rrjedh ujë.  Rrëshkitjet kanë shkaktuar çarje të mëdha të  mureve.Këtu, në Allprenaj të Lushnjës  fshatin po e përpin toka. Pesë banesa janë shembur 10 të tjera janë të pabanueshme.

“Para dy ditësh kam bërë një vijë që po del uji këtej nga themmelet, po mos ta kisha bërë këtë vijën këtu do ishim brenda”.

Burrat e fshatit bëjnë roje natën, Dikush duhet të qendrojë zgjuar për të lajmëruar të tjerët nëse toka nis të shkëputet. Në çdo shtëpi në Allprenaj, flitet për braktisjen e zonës. Të gjithë duan të ikin.

“Gjithë natën rrimë roje, sidomos unë dal përjashta”.

“Po ku kemi mundësi, po të kishim mundësi kishim blerë shtëpi në Lushnje”.

“Jemi në rrezik nuk mund të rrimë brenda, kemi frikë, kalamajtë i kemi përjashta, kemi frikë t’i lëmë brenda”.

 Gratë nuk lejojnë që fëmijët të futen brenda dhe pse jashtë është shi. Ato janë të tmerruar nga mendimi se muret mund të zënë poshtë.

Shkarjet e tokës në Allprenaj kanë nisur të japin probleme që prej 10 vitesh. Banorët tregojnë se ekspertët kanë zbuluar se çarja e tokës është rreth 37 metër në thellësi.

Gazetare e ABC news, Lushnje: Anila Sefa

/abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!