Si dhe me çfarë t’ia heqin njollat? Është kjo puna e parë që ju caktua ndërmarrjeve të pastrimit të Tiranës paraditen e së dielës. Pasojat që la protesta e opozitës shiheshin ngado. Në mure, shkallë, dyer e trotuare. Një foto të këtij angazhimi e përcolli edhe kryeministri Edi Rama për ndjekësit e tij në Instagram.
“Ata prish e ne ndreq, ata ndot e ne pastro, ata klith e ne fito”, shkruan kryetari i qeverisë.
Më i ashpër është treguar kryebashkiaku Erion Veliaj. Në postimin e tij në rrjetet sociale, qytetari i parë i Tiranës njofton se Policia Bashkiake ka gjobitur Partinë Demokratike në vlerën e 20 mijë lekëve pasi një prej protestuesve ka kryer nevojat personale në dyert e Kryeministrisë.
“PD gjobitet për të 5-ën herë për organizime të urinimit publik! Si dhe më parë, paratë do t’i merren direkt nga llogaria! Imagjino ç’alternativë qeverisëse është një parti që i shpëton në brekë! Hipokrizia e “Mbro Teatrin” duket qartë tek ndërtesa e Gherardo Bosios”.
E ndërsa angazhimi ishte maksimal për të pastruar selinë e qeverisë, Kuvendi i Shqipërisë ishte lënë për më vonë. Gjurmët e protestës së opozitës ishin të dukshme ngado./abcnews.al