Nisin punimet për unazën deri tek sheshi “Shqiponja”

schedule14:26 - 2 Qershor, 2018

schedule 14:26 - 2 Qershor, 2018

Shumë shpejt do të nisin punimet për unazën deri tek sheshi “Shqiponja” në Tiranë. Këtë e bëri të ditur ministri i Infrastrukturës dhe Energjise Damian Gjiknuri i cili bashkë me kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj takoi banorët e Kombinatit.

60 milionë euro do të vihen në dispozicion për të lehtësuar trafikun tek sheshi “Shqiponja” në hyrje të Tiranës.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, iu tha banoreve te Kombinatit se punimet do te nisin se shpejti.

“Shumë shpejt do të fillojmë edhe pjesën e mbetur të Unazës së Tiranës, për të dalë te sheshi Shqiponja. Një investim i rëndësishëm që do të shkojë rreth 60 milion euro për të lehtësuar trafikun. Jemi duke diskutuar edhe me partnerë privat për të bërë rrugën nga Kashari në Rrogozhinë. Qeveria ka bërë ndërhyrjet e saj edhe në infrastrukturën energjetike. Këtu kemi bërë shumë investime në energji dhe së shpejti fillojmë një investim shumë të rëndësishëm prej 10 milion eurosh për zonën e Kombinatit. Është një nënstacion i ri elektrik dhe një pjesë e rrjetit elektrik i cili do të rinovohet totalisht”

Për të tjera investime në rrugë, çerdhe dhe kopshte foli kryetari i bashkisë së Tiranës foli Erion Veliaj.

“Më vjen mirë që disa gjëra i kemi prekur që në fillim, si rregullimi i çerdheve dhe kopshteve. Kemi ndërtuar shkollën e re “Betim Muço” dhe kemi në plan të ndërtojmë edhe një tjetër te zona e Astirit. Gjithashtu, ju falenderoj për mirëkuptimin sepse po punojmë te blloku i “Misto Mames”, e po ashtu edhe zona te “Musine Kokalari” po bëjmë bllokun tjetër, të cilat do t’i përfundojmë brenda verës”, deklaroi kryetari Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj u ndal edhe tek çështja e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, ndërkohë që akuzoi opozitën për tradhëti kombëtare.

“Ata janë duke bërë një tradhti kombëtare, duke sharë vendin kudo jashtë. Ju e dini fare mirë se ka forca ekstremiste edhe në Hollandë, në Francë, kurse Anglinë sapo e nxorrën nga Bashkimi Evropian. Shumë prej këtyre deputetëve të huaj, kërkojnë një sebep, t’u vijë një shqiptar i opozitës e t’u japë një arsye që ata të votojnë kundra nesh. Kjo është tradhti kombëtare. Një gjë nuk ka dyshim: Vetëm Partia Socialiste e çon Shqipërinë në Evropë.” /abcnews.al