Një ditë pasi humbi jetën në një spital në Letoni, autoritetet shqiptare kanë nisur procedurat për kthimin e trupit të tij në atdhe. Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se është në koordinim me palën letoneze dhe shumë shpejt do të njoftohet dita e mbërritjes së trupit të dëshmorit të Kombiut në bazën ajrore të Rinasit.
Ndërkohë ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka zhvilluar një takim me prindërit, bashkëshorten dhe të afërmit e major Klodian Tanushit.
Ministrja Xhaçka u ka premtuar atyre se nuk do të jenë kurrë vetëm, pasi ministria e mbrojtjes do t’i mbështesë gjithmonë.
“Me Klodin, humbëm një djalë të rrallë e njëherësh edhe profesionistin e kudogjendur”, u ka thënë Xhaçka familjarëve.
Klodi është jo vetëm biri juaj, por edhe djali ynë. Do t’i mungojë familjes sonë të Forcave të Armatosura”, ka vijuar ministrja Xhaçka.
Po ashtu, ministria e Mbrojtjes ka publikuar mesazhin e urimit që major Klodian Tanushi ka dhënë pak javë më parë nga Letonia, në kuadër të 10- vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Pas vdekjes së tij mbrëmjen e së premtes në një spital të Letonisë, ka reaguar edhe misioni i përforcuar i grupit të prezencës së NATO-s në Letoni.
“Kemi humbur një nga tanët, një vëlla nën armë. Në këto kohë dhimbjeje, mendimet tona shkojnë tek të dashurit, miqtë dhe kolegët e tij. Jeta e tij do të kujtohet”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit të këtij misioni.
Ngushëllimet për këtë ngjarje kanë përcjellë edhe zyrtarët më të lartë të shtetit Shqiptar, si Presidenti Ilir Meta, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, kryeministri Edi Rama si dhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Komandanti i kontingjentit shqiptar në misionin e NATO ne Letoni , major Klodian Tanushi humbi eten ne spital ku po kurohej pas plagëve të rënda që mori nga shpërthimi i minave disa ditë më parë. Në atë ngjarje humbi jetën nentetarja Zarife Hasanaj si dhe u plagos jashtë rrezikut për jetën rreshter Julian Kapaj./ABC News Albania 24/7