Nisi me përplasjen fatale të efektivit taksist, 7 aksidentet e ndodhura në 24 orët e fundit

schedule08:52 - 12 Nëntor, 2021

schedule 08:52 - 12 Nëntor, 2021

7 aksidente rrugore janë raportuar në 24 orët e fundit. Dita nisi me një bilanc tragjik. Gjate orëve të para të mëngjesit të djeshëm u regjistrua një aksident me dy viktima në në Tiranë. Dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin në kryqëzimin e “21 Dhjetorit” dhe për pasojë ka ndërruar jetë një prej drejtuesve të mjeteve të përfshira në aksident dhe një prej pasagjerëve në automjet.

Viktima mbetën Luan Cenollari dhe fqinji i tij 69 vjeç, Ali Bejo. Prej gati 20 vitesh, Cenollari punonte si efektiv i Forcave Operacionale pranë Drejtorisë së Burgjev kurse jashtë orarit të shërbimit, në orët e vona të natës, 58-vjeçari punonte taksi për të siguruar më shumë të ardhura për familjen. Në orën 3:30 të mëngjesit ai u përplas për vdekje teksa po dërgonte në spital fqinjin i cili nuk ndihej mirë.

Lexo edhe: Efektivi i burgjeve po çonte fqinjin në spital, ndërtohet skema 3D e aksidentit tragjik tek “21 Dhjetori”

Po në mesnatë një tjetër aksident ka ndodhur në Elbasan. Në aksin rrugor Elbasan-Cërrik pranë fshatit Thanë, ABC raportoi se një automjet tip A Class humbi kontrollin duke u përplasur me bordurën. Fatmirësisht nuk pati viktima, por i lënduar mbeti shoferi i përfundoi në spital.

Lexo edhe: Aksident në Elbasan, makina humb kontrollin dhe bëhet “copash”, shoferi përfundon në spital

Rreth orës 8 të mëngjesit policia raportoi se një furgon është përplasur me trenin në Durrës. Ngjarja ndodhi në rrugën Asti gogoli, Shkozet, ku mbeti i plagosur shoferi i makinës.

Lexo edhe: Furgoni përplaset me trenin në Durrës, shoferi në spital

Një tjetër efektiv policie është plagosur në aksident ditën e djeshme. Ky rast u shënua në Lezhë. Bëhet fjalë për efektivin e policisë rrugore Alban Tafili 31 vjeç. Policia raportoi se aksidenti ndodhi në aksin rrugor Lezhë-Mamurras, në afërsi të mbikalimit të Patokut, ku një makinë u përplas me patrullën e policisë, duke sjellë edhe lëndimin e efektivit. Ky i fundit u dërgua për mjekim në urgjencën e Laçit, me dëmtime të lehta.

Lexo edhe: VIDEO/ Makina përplaset me patrullën dhe kthehet përmbys, plagoset efektivi në Lezhë

Zhvendosemi në Tiranë aty ku u aksidentua edhe aktori i njohur Gazmend Paja. Ai po lëvizte me motor në rrugën e Kavajës kur u përplas nga një makinë. Burime zyrtare të policisë thonë se aktori mbeti i plagosur dhe u dërgua në spital për ndihmë mjekësore.

Lexo edhe: Dalin pamjet e aksidentit, Gaz Paja po udhëtonte me motor, u përplas me një automjet

Më vonë një tjetër përplasje e fortë ka ndodhur në aksin rrugor që lidh superstradën me bregdetin e Tales në Lezhë. Në afërsi të kryqëzimit të Shënkollit pranë një biznesi një automjet tip “Benz” u përplas me një kamion që ishte i ngarkuar me materiale ndërtimi.

Lexo edhe: VIDEO/ Kamioni i pret rrugën në Lezhë, “Benz-i” i futet nën rrota, shoferi në spital

Ashtu sikurse nisi, dita e djeshme u mbyll po me aksident. Në aksin Fushë-Krujë-Vorë, ndodhi një aksident i trefishtë ku dy persona mbetën të plagosur. Në aksident janë përfshirë 3 automjete, fillimisht janë përplasur mjeti tip “Mercedes” me targe  AA 699 AR me “Pasatt-in” me targe AA 008 DB, ndërsa një qytetar i cili është afruar për të parë aksidentin i ka prerë rrugën një makine tip Renault AA 285 PX, e cila po udhëtonte në drejtim të Fushë-Krujës.

Lexo edhe: Dy makina aksidentohen në Fushë Krujë, familjari afrohet për t’i ndihmuar por përplaset nga një mjet tjetër

Në disa prej rasteve të mësipërshme, policia ka raportuar se shkak ka qenë shpejtësia, alkooli, dhe mosrespektimi i  rregullave të qarkullimit.

Theksojmë se shpejtësia tej normave të lejuara, ndryshimi i papritur i shpejtësisë, parakalimi i gabuar dhe humbja e kontrollit të mjeteve janë 4 nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore që ndodhin në Shqipëri në afro 10 vitet e fundit. be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!