Nis zbatimi i marrëveshjes Kosovë Shqipëri për roaming. Nga data 15 Qershor janë ulur tarifat e roamingut për dy vendet me rreth 90% sipas deklaratës për mediat nga autoritetet në Prishtinë.
90% më pak janë kostot e roamingut për qytetarët e Kosovës të cilët udhëtojnë në Shqipëri dhe anasjelltas. Zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Shqipëri për heqjen graduale të tarifave të roamingut ka filluar më 15 Qershor.
Kreshnik Gashi, kryetar i bordit të Autoritetit Rregullativ, Kosovë: Kostoja që qytetarët e Kosovës paguajnë në Shqipëri mbi koston e trafikut të brendshëm të Shqipërisë në Kosovë, është 5 cent për thirrje, 4 cent për pranim të thirrjeve dhe 2 cent ekstra për dërgim të SMS-ve.
Deri në vitin 2021 parashihet heqja e tërësishme e roamingut ndërmjet këtyre dy vendeve.
Kreshnik Gashi: Heqja e plotë e kostos së përdorimit të telefonisë në roaming do të ndodhë me datën 30 Korrik të vitit 2021.
Marrëveshja ishte nënshkruar në Pejë në mbledhjen e dy qeverive në fund të vitit të kaluar.
Gjithashtu ekziston edhe një marrëveshje paralele e nënshkruar muaj më parë në Beograd ndërmjet të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor për heqjen graduale të tarifave të roamingut, e cila do të nis së zbatuari në korrik të këtij viti./ABC News Albania 24/7