Nis ndërhyrja në shtratin e lumit Zezë

schedule13:30 - 25 Mars, 2019

schedule 13:30 - 25 Mars, 2019

Në Fushë-Krujë ka nisur puna për rehabilitimin e shtratit të lumit Zezë. Kjo ndërhyrje bëhet për të shmangur përmbytjet gjatë dimrit, të cilat shkaktuan dëme në banesat dhe bizneset e banorëve të qytetit. Investimi nga qeveria shqiptare pritet të mbarojë në Korrik të vitit 2020.

Qyteti i Fushë-Krujës përmbytet çdo dimër si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Zezë. Banorët përballeshin me frikën e vërshimeve dhe dëmtimet që sillnin ujërat e lumit. Por prej pak ditësh këtu ka nisur puna, për zgjerimin e tij dhe vendosjen e mbrojtëseve anësore. Investimi po bëhet me financim të qeverisë shqiptare.

“Po bëhet rikonstruksioni i lumit Zezë, me gjatësi 3.8 kilometrash duke filluar nga autostrada deri në pjesën fundore, në Arrameras”.

Gjithashtu është parashikuar edhe ndërhyrja në urën e qytetit. Disa objekte përgjatë lumit Zezë janë parashikuar të prishen për t’i hapur rrugë zbatimit të plotë të  projektit. Banorët e kishin pritur me vite.

“Shpëton një lagje, me mijëra banorë dhe nuk përmbytet vetëm lagja këtu, por edhe poshtë”.

Investimi ka nisur në muajin Mars dhe përfundon në Korrikun e vitit të ardhshëm./abcnews.al