Xhamia në qendër të Tiranës mesditën e të mërkurës ishte e mbushur me besimtarë. Në prag të muajit të Ramazanit të shumtë janë ata që përgatiten shpirtërisht për agjërim. Anisa është një prej tyre. Në faljen e drekës ishte bashkë me të birin 1 vjeç.
“Namazi është pjesa më e rëndësishme e fesë tonë, baza kryesore. Tani vjen po vjen dhe agjërimi, një obligim i shenjtë fetar”, thotë Anisa.
Ky është viti i 14 radhazi që 25-vjeçarja pret të agjërojë. Ramazani thotë se nuk vjen rastësisht.
“Thonë se Ramazani vjen gjithmonë kur shpirti I njeriut ka më shumë nevojë e ashtu dhe njerëzimi, jo më kot Allahu e diti më së miri se tani është koha perfekte që zemrat tona të qetësohen, shpirti ynë të mbushet me paqe dhe ashtu dhe në të gjithë botën a Inshalla zbret qetësia dhe paqja për zemrat e njerëzve”, shtoi ajo.
Është rritur në një familje myslymane. Mban shami prej klasës së tetë, por thotë se besimin nuk ja ka imponuar askush. Kështu tregon se do të veprojë dhe me të birin që e shoqëron kudo.
“Shamia është kurorë. Në veshim një ajet kuranor, çdo sekondë jemi të shpërblyer për të pavarësisht se është dhe sakrificë. Jam rrit me islamin, por nuk ka na ka sforcuar njeri, edhe unë po ashtu do përpiqem që fëmijët e mi ta marrin nga zemra, me mendje te shëndoshë jo se unë jam myslimane e djali do bëhet mysliman, shpresoj të jetë në rrugën e drejtë”, u shpreh 25-vjeçarja.
Në xhami, përpara se të fillojë agjërimi, besimtarët përqafojnë ritualet e tyre, duke kërkuar paqe shpirtërore dhe udhëzim në jetë. Ramazani për ta nuk është vetëm një detyrë fetare, por një mundësi përmirësimi e reflektimi. Në prag të muajit të shenjtë urimin për paqe e begati ndau dhe kryetari I komunitetit mysliman të Shqipërisë.


