Ngjarja në Kavajë, 5 persona në pranga dhe 1 në kërkim

schedule09:03 - 5 Korrik, 2019

schedule 09:03 - 5 Korrik, 2019

Pesë persona janë arrestuar për përplasjen me armë zjarri në Kavajë ku mbeti vrarë një kalimtar dhe u plagosën pesë persona të tjerë. I arrestuari i parë ishte Marjus Aliu, i cili shkoi në spital për mjekim dhe u prangos. Ai akuzohet si i dyshuar për vrasjen e 53-vjeçarit Ramazan Hasanlliu, i cili ishte një kalimtar i rastit duke shkuar në shtëpi.

Shkuan për paqe me armë në brez. Një mbeti i vdekur, pesë u plagosën. Me ndërmjetësimin e vëllezërve Rustem dhe Elton Dedej, vëllezërit Eraldo dhe Elio Hyka u ulen në një tavolinë me Marjus dhe Denis Aliu.

Ata i ftuan në lokalin e tyre për të sqaruar konfliktin e nisur një nate më parë mes vëllezërve Eraldo Hyka dhe Denis Alisë, por situata u doli jashtë kontrolli. Ndryshe nga çfarë kishin menduar vëllezërit Dedej, palët në konflikt kishin mbërritur të armatosur në takim e planifikuar për të ulur gjakrat.

Ata nuk mundën të gjejnë gjuhën e përbashkët duke ndezur edhe më shumë sherrin. Fillimisht ata u përplasën me grushte dhe më pas kanë nxjerrë armët, dy nga njëra palë e dy nga pala tjetër duke qëlluar kundrejt njëri-tjetrit.

Breshëria e plumbave e derdhur në mes të qytetit shkaktoi një viktimë rastësorë si dhe pesë të plagosur, mes tyre edhe personat e përfshirë në konflikt. Eraldo Hyka, Rustem Berberi, Sali Mekja, Arben Hajdinin dhe Marjus Aliu mbetën të plagosur. Sali Mekja dhe Arben Hajdini sipas policisë u plagosën rastësisht, pasi kishin dalë nga lokali për të parë se çfarë kishte ndodhur.

Policia dyshon se konflikti i nisur ka të bëjë me çështje territoresh për shpërndarje droge, por personat e pyetur e kanë mohuar. Ata kanë thënë se konflikti mes tyre ka nisur pas një sherri banal dhe se situata u doli jashtë kontrolli. Për ngjarjen në Kavajë, ku mbeti i vrarë një kalimtar dhe u plagosën pesë persona të tjerë, policia arrestoi pesë persona.

I arrestuari i parë ishte Marjus Aliu, i cili shkoi në spital për mjekim dhe u prangos. Ai dyshohet të jetë autori i vrasjes së 52-vjeçarit Ramazan Hasanlliu, i cili ishte një kalimtar i rastit duke shkuar në shtëpi. Në kërkim është vëllai i Marjus Aliut, Denis Aliu, 33 vjeç. Të tjerë persona të arrestuar janë Eraldo Hyka, Ardian Dedej, Qazim Merkja dhe Agron Kollçaku. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!