Ngërçi për integrimin e Shqipërisë dhe RMV, zyrtari i lartë i PE: Dështimi, një rrezik për politikën e zgjerimit

schedule13:30 - 24 Maj, 2022

schedule 13:30 - 24 Maj, 2022

Kreu i Komitetit për Punën e Jashtme në Parlamentin Europian David McAllister tha se PE vazhdon të bëjë thirrje për çeljen e negociatave, ndërsa e cilësoi dështim pengesën e krijuar nga vetoja bullgare që sipas tij është një rrezik i vërtetë për politikën e zgjerimit Europian. Gjatë konferencës për shtyp tha se janë të angazhuar në përmbushjen e planit A.

“Parlamenti Europian ndjen keqardhje për vonesat në çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe RMV. Theksojmë se ky dështim është një rrezik i vërtetë për politikën e zgjerimit Europian. PE vazhdon që të bëjë thirrje që të ketë një fillim të menjëhershëm të negociatave për anëtarësim. Le të shohim se çfarë do të ndodhë në javë në vijim dhe jemi të fokusuar që të përfundohet plani A.”, tha ai.

Pyetje: Jeni të shqetësuar nga deklarata e kryeministrit Rama se nëse nuk do të ketë çelje të negociatave në qershor do të ndahet nga Maqedonia e Veriut.

Përgjigje: Për momentin jemi të angazhuar për përmbushjen e planit A. Politikanët kanë edhe plane B apo C , por ne duam të përmbushet plani A.

Madje kryetari i Komitetit të Jashtëm të PE, ka deklaruar se Bashkimi Evropian nuk ka kohë për të humbur për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut.

David Mcallister: Ashtu siç e dini, rekomandimet e reja për Shqipërinë u miratuan në Parlamentin Evropian javën e shkuar. Rezoluta u miratua me një maxhorancë të madhe dhe tregon dhe konsensusin ndërpartiak që kemi në PE në mbështetje të Integrimit Evropian të Shqipërisë. Më lejoni të them disa çështje të rëndësishme: Shqipëria është një anëtare e vlerësuar dhe e vlefshme e familjes tonë evropiane, një aleate e fortë që ka luajtur një rol kyç për çështjet e sigurisë të Evropës, me përputhshmërinë e plotë për politikën tonë të jashtme. Dëshiroj të falenderoj Shqipërinë për angazhimin e fortë për integrimin euro-Atlantik.

Gjatë takimeve tona, ne kemi dhënë këto mesazhe kyçe: BE nuk ka kohë për të humbur për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut pasi të dyja vendet i kanë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme. Ne fokusohemi tek plani A dhe të gjitha përpjekjet diplomatike po bëhen për të zhbllokuar procesin. Ne ndajmë plotësisht frustrimin me vonesat e pajustifikuara të shkaktuara nga çështja dypalëshe.

/abcnews.al