Fëmijët dhe të rinjtë ishin mes atyre që u torturuan nga forcat iraniane të sigurisë gjatë shtypjes së përgjakshme të protestave masive në vend që nga shtatori, tha Amnesty International në një raport të publikuar sot.
Fëmijët janë rrahur me kamxhik, kundrejt tyre janë përdorur goditje elektrike në organet gjenitale, janë përdhunuar dhe forma të tjera të abuzimit seksual nga anëtarët e zbatimit të ligjit dhe shërbimeve sekrete që nga fillimi i protestave.
Përdorimi i metodave të tilla mizore ndaj të rinjve nga autoritetet kishte për qëllim t’i ndalonte ata të protestonin, thekson Amnesty.
“Është e tmerrshme që zyrtarët shtetërorë abuzojnë me pushtetin e tyre në një mënyrë të tillë, në kurriz të fëmijëve të cenueshëm dhe të frikësuar, duke u shkaktuar dhimbje ekstreme atyre dhe familjeve të tyre, duke i lënë ata me plagë të thella, fizike dhe mendore,” tha Dieter Karg, një ekspert për Iranin në degën gjermane të Amnesty International.
Në raportin e saj, OJQ-ja flet për dhunë ndaj fëmijëve dhe të rinjve menjëherë pas arrestimit të tyre, duke filluar nga rrahjet në automjetet e autoriteteve. Përpara se fëmijët të liroheshin, rojet e burgut i kanë kërcënuar se do të arrestonin prindërit dhe të afërmit e tjerë nëse ata nuk i dëgjonin, raporton abcnews.al.
Disa nga fëmijët që pësuan tortura ishin 12 vjeç, sipas Amnesty International, bazuar në dëshmitë e dhjetëra të burgosurve dhe të afërmve të tyre. Protestat gati gjashtëmujore në Iran shpërthyen pas vdekjes së një vajze të re kurde iraniane, Mahsha Amini, në duart e policisë, pasi ajo u arrestua në shtator për shkelje të kodit të rreptë të veshjes të vendosur ndaj grave në Republikën Islamike.
Duke qenë se mobilizimet masive kundër regjimit klerik përfshinin kryesisht të rinj nën moshën 25 vjeç, Amnesty supozon se mijëra fëmijë u arrestuan.
Amnesty International bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të të miturve që mbeten në paraburgim dhe kërkoi që komuniteti ndërkombëtar të garantojë që zyrtarët iranianë të mbajnë përgjegjësi për torturimin e fëmijëve.
“Meqenëse nuk ka mundësi për hetime të pavarura për torturën e fëmijëve në Iran, ne u bëjmë thirrje të gjitha shteteve, përfshirë qeverinë gjermane, të ushtrojnë juridiksionin e tyre global” dhe të sjellin para drejtësisë zyrtarët iranianë që janë përgjegjës, tha Carg.
/abcnews.al