Neritan Ceka: Potenciali i arkeologjisë nënujore, unik

schedule17:00 - 24 Shkurt, 2019

schedule 17:00 - 24 Shkurt, 2019

Arkeologu i njohur Neritan Ceka shpreh shqetësimin se Shqipëria nuk i jep rëndësinë e duhur arkeologjisë nënujore. Ai thotë se projekti për muzeun arkeologjik nënujor në Porto Palermo është hartuar prej 10 vitesh, por ende nuk ka asnjë përgjigje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës.

Arkeologu dhe studiuesi i njohur Neritan Ceka thotë se Shqipëria është një nga vendet e fundit në Mesdhe, që nuk i jep rëndësinë e duhur pasurive të mëdha nënujore që posedon. Prej afro një dekade zhvillohen dy ekspedita nënujore.

“Një që është përnjohëse dhe që zhvillohet në Kepin e Rodonit dhe në liqenin e Ohrit duke identifikuar qendra arkeologjike nënujore dhe relikte, anije të mbytura. Dhe një ekspeditë shumë e njohur që kalon 10-vjeçarin dhe ka filluar identifikimin e relikteve nënujore që nga kufiri me Greqinë dhe ka ardhur deri në ishullin e Sazanit. Janë zbuluar mbi 20 anije antike me pasuri arkeologjike, kryesisht amfora që tregojnë për lëvizjen e transportit, të cilat jemi detyruar t’i lemë nën ujë dhe së dyti mos t’i publikojmë sepse rrezikohen nga banditizmi, nga pirateria, e cila vazhdon dhe ushtrohet”, tha Ceka.

Projekti për muzeun arkeologjik është gati dhe është dorëzuar në Institutin e Monumenteve Kulturore, por prej disa vitesh nuk ka asnjë pëgjigje. Ai fle në sirtaret e këtij institucioni sipas Cekës.

“Ka një indiferencë të plotë të qeverive, qoftë atyre që kanë ikur, qoftë atyre që janë dhe kam frikë dhe atyre që do vijnë. Është bërë një propozim për krijimin e një Muzeu të Arkeologjisë Nënujore në Porto Palermo, një kështjellë, e cila mund të kthehet në një muze që të tërheqë mijëra turistë, por edhe ku mund të instalojmë një laborator për përpunimin e materialit arkeologjik sepse projekti është gati. Është dorëzuar në Institutin e Monumenteve nga arkitektët e rinj të asaj kohe. Shpresoj mos ta kenë zhdukur si projekt në Institutin e Monumenteve. I është paraqitur qeverisë që ishte më përpara. Në parim u miratua. Kryeministri Berisha në atë kohë dha një miratim sepse ishte puna kujt do i jepej kështjella. Të jeni të sigurt se për atë kështjellë ka 200 kërkesa për ta bërë bar, restorant, për ta bërë hotel, por besoj që atë kohë pati një bonsense për ta dhënë për arkeologjinë. Kronologjia e qeverive është shumë më e shkurtër se jeta e njerëzve edhe mbeti në pritje dhe ka vite që ia kam propozuar direkt kryeministrit Rama dhe natyrisht përgjigja nuk ka ardhur”, tha arkeologu.

Shqetësim kryesor mbetet edhe laboratori i specializuar për konservimin e objekteve.

“Kemi një minilaborator të tillë sepse kërkon një përpunim me ujë disa muaj në mënyrë që eleminohet kripa që rrezikon shpërthimin e qeramikës në këtë rast apo për metalet, është në Durrës ku kemi edhe specialistin përkatës. Por një laborator na është propozuar që mund ta vendosim në Porto Palermo tek ato instalimet që janë afër kështjellës dhe nuk ka asnjë përgjigje”, tha ai.

Potenciali arkeologjik i përket periudhës antike dhe mesjetare.

“Kemi një nga potencialet më të rëndësishme të Adriatikut. Nëse duam të bëjmë një Muze të Aerkeologjisë Nënujore nuk është se do kufizohemi vetëm tek amforat dhe materialet antike, por do ta çojmë edhe më përpara për të dhënë një pamje të zhvillimit të lundrimit në brigjet tona në mënyrë retrospektive”, tha Ceka.

Sipas specialistit të arkeologjisë, Shqipëria ka potencialet më të rëndësishme të Adriatikut. Bregu jonë ka qenë bregu i lëvizjeve në kohën antike. Një pjesë e mirë e anijeve kalonin nga Greqia, vinin deri në Otranto edhe pastaj kalonin. Prandaj në këtë internerar kemi një numër pafund anijesh, që vijnë deri në Luftën e Parë Botërore./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!