Deputetja e P S, Ilva Gjuzi, deklaroi se deputetët e zgjedhur nga lista e mbyllur duhet të respektojnë mandatin politik që u është dhënë, duke e cilësuar këtë si një çështje të ndershmërisë morale.
Gjuzi tha se edhe ajo vetë është zgjedhur në Kuvend nga lista e mbyllur dhe se është dakord me qëndrimin se mandati i përket Partisë Socialiste. Sipas saj, ky ka qenë një nga mekanizmat që PS ka përdorur për ndërtimin e grupit të saj parlamentar.
Sipas Gjuzit, fokusi i deputetëve duhet të jetë përmbushja e detyrimeve në komisionet parlamentare dhe avancimi i çështjeve të rëndësishme për qytetarët.
“Unë jam një nga deputetet që jam bërë pjesë e Kuvendit nga lista e mbyllur dhe bie dakord. Është minimumi i ndershmërisë morale, ku mandati i listës së mbyllur është i PS-së. Ky ishte edhe një nga mekanizmat që PS ka përdorur për radhët e veta, me një grup parlamentar 54/83. Norma morale të lë të kuptosh që ky është mandat i PS-së.
Komente personale nuk kam, por qëndrimi i Ballës ishte i drejtë. Nëse secili nga deputetët do të komentonte vendimet e secilit prej tyre, do të ishte humbje kohe, ndërkohë që ne duhet të bëjmë detyrat që na takojnë në komisione dhe të ecim përpara. Duhet të fokusohemi aty ku janë gjërat e rëndësishme.
PS po e bën shumë mirë punën e saj dhe obligimin që mori. PS është një familje politike dhe ka rregullat e veta.” / abcnews.al /



