Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri thotë se Kosova po përjeton izolim nga ndërkombëtarët, për shkak të qëndrimeve të kryeministrit Albin Kurti, në lidhje me tensionet në Veri.
Në emisionin “Ballkan Update” në ABC News, Haziri u shpreh se Kosova po hyn në një periudhë të errët.
“Tani po shifen efektet e deklaratës së Sekretarit të Shtetit, zotit Blinken. Kosova po përjeton izolimin e kryeministrit të saj dhe kryeministri po izolon liderë të tjerë institucionalë në Kosovë, edhe presidenten, edhe kryetaren e Kuvendit. Ky lloj izolimi i dyfishtë, le të themi, nuk është diçka e re që po e shohim këto ditët e fundit, por është për keqardhje. Presidentja po sillet sikur e ka zbuluar ujin e nxehtë, duke bërë me gisht gjithmonë te burimi i problemit, por BE dhe SHBA janë të vetëdijshëm që Serbia ka një pozicion të tillë të pandryshueshëm, por që e kanë detyruar të bëjnë marrëveshje në raport me Kosovën.
Ne presim që presidentja të kalojë mbi palët në Kosovë. Ky izolim ndaj kryeministrit, që tashmë u faktua në Moldavi, mosgatishmëria e takimit nga liderët kryesorë evropianë, tregon qartë që Kosova hyn në një periudhë të errët”, theksoi ai./abcnews.al