Nën hetim për shpërdorim detyre, Ilir Beqaj në SPAK

schedule15:33 - 24 Nëntor, 2023

schedule 15:33 - 24 Nëntor, 2023

Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është paraqitur ditën e sotme në SPAK. Beqaj është marrë nën hetim për shpërdorim detyre në lidhje me procesin e sterilizimit.

Në zbatim të vendimit të gjykatës Beqaj duhet të paraqitet çdo të premte në orën 15:30, përballë OPGJ.

Ndaj tij janë caktuar dy masa sigurie, detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.

Prokuroria e Posaçme, ka caktuar ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj masën e shtrëngimit të paraqitjes në policinë gjyqësore dhe ndalimin e daljes jashtë vendit si person nën hetim për shpërdorim detyre në procedurat e koncesionit të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale. Masat e sigurisë për Beqjen u miratuan nga Gjykata e Posaçme më 16 nëntor.

Sipas SPAK, Beqja është urdhëruar të paraqitet çdo të premte në Byronë Kombëtare të Hetimit, të mos largohet nga territori i Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës si dhe i ndalohet përdorimi i pasaportës apo mjeteve të tjera identifikuese për daljen jashtë shtetit.

Hetimet 3-vjeçare të kryera nga SPAK kanë zbuluar shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së njërit prej koncesioneve më të kushtueshme të sektorit të shëndetësisë, me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staccini.

Ilir Beqaj u zgjodh ministër i Shëndetësisë në kabinetin e parë të kryeministrit Edi Rama dhe gjatë drejtimit të tij në vitet 2013-2017, u firmosën tre kontrata koncesionare prej dhjetra milionë eurosh për shërbime të sistemit shëndetësor. Prej vitit 2021, deri kur SPAK dha masën e sigurisë ndaj tij, Beqaj drejtoi Agjencinë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës dhe në tetor të këtij viti, ai u bë pjesë e grupit negociator për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian./abcnews.al/