Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

“Negociatat, zigzage e Trump”/Lufta në Iran, Minxhozi: Nuk mund të themi që jemi në fund të konfliktit

schedule13:39 - 27 Mars, 2026

schedule 13:39 - 27 Mars, 2026

Analisti Skënder Minxhozi ka komentuar zhvillimet e fundit gjeopolitike dhe tensionet në rritje në Lindjen e Mesme, duke theksuar pasigurinë e lartë që karakterizon situatën aktuale. Në “News Line” në ABC News, ai u shpreh se qasja e presidentit amerikan Donald Trump paraqitet si e paqëndrueshme dhe pa një strategji të qartë për të dalë nga kriza.

Sipas Minxhozit, konflikti mbetet larg përfundimit, ndërsa zhvillimet në terren, përfshirë mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, një pikë kyçe për transportin global të hidrokarbureve rrisin ndjeshëm pasojat ekonomike dhe politike. Ai nënvizoi se aktualisht ka tentativa për negociata mes palëve, me ndërmjetësime të mundshme nga vende të tjera, si Pakistani, por qëndrimet mbeten të kundërta.

Analisti theksoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kanë interesin më urgjent për të mbyllur konfliktin, për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë në ekonominë e brendshme dhe rritjes së çmimeve të karburanteve. Megjithatë, sipas tij, numri i madh i variablave, nga kapacitetet ushtarake të Iranit deri te qëndrueshmëria politike e bën të vështirë parashikimin e zhvillimeve të mëtejshme.

“Kjo është një zigzage e presidentit Donald Trump dhe është një mungesë strategjie për të ndalë nga ai tuneli ku ka hyrë më këmbët e veta. Nuk ka ndryshim të regjimit. Ngushtica e Hormuzit është ende e mbyllur nga ku po kalojnë rreth 20% e hidrokarbureve globale. Tani ka negociata dhe janë dy palë të cilat mbrojnë të kundërtën. Është ofruar Pakistani për një negociatë. Duhet të kuptojmë që lufta 12 ditore e qershorit dhe kjo tani, negociatat u prishën papritur dhe ka nga ata që thonë se janë prishur për të mos patur një paqe.

Amerikanët janë pala që kanë urgjencën më të madhe për të mbyllur konfliktin. Populli amerikan është i padurueshëm ku në pompën e tyre të benzinës ka rritje të çmimit. Variablat janë të pafundme, sa është numri i raketave balistike që Irani ka, askush nuk e di. Deri ku është durimi i SHBA?! Edhe kjo është e parashikueshme, por askush nuk e di. Janë shumë variabla që të kalkulosh dhe të gjesh se në cilën fazë jemi. Mund të kishim një zgjerim në shtetet e tjera, mund të kemi dhe një ndryshim regjimi. Nuk mund të themi që jemi në fund të konfliktit. Nëse nuk do të ketë zgjidhje të shpejtë të konfliktit, do të ketë surpriza shumë të këqija, sepse çdo rëndim i ekonomisë do të na ofronte skenare shumë të këqija”, tha Minxhozi.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!