Negociatat, Vuçiç shpërthen ndaj ndërkombëtarëve

schedule18:55 - 23 Prill, 2018

schedule 18:55 - 23 Prill, 2018

Në ditën e ushtrisë, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka shpërfillur platformën e Prishtinës për bisedimet dypalëshe. Ai akuzoi Perëndimin se po anashkalon Serbinë dhe po fokusohet vetëm tek interesat e Kosovës.

Serbia nuk beson tek platforma e Kosovës lidhur me negociatat në Bruksel. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, në ditën e ushtrisë serbe, ka thënë se duhet menduar për të ardhmen e vendit pavarësisht qëndrimeve të ndryshme. Ai ka thënë se nuk ekziston një mbështetje ndërkombëtare për Serbinë dhe në 90 për qind të takimeve ndërkombëtare gjithmonë flitet për Kosovën.

Aleksandër Vuçiç, President i Serbisë: “Nëse ju prisni mbështetje dhe mirëkuptim nga ndërkombëtarët, unë dyshoj në këtë pasi ata nuk e kuptojnë pozitën tonë. Këtë e tregon edhe platforma e shqiptarëve dërguar Kuvendit”.

Zgjidhja për Kosovën është e vështirë, pasi sipas Presidentit serb, nuk ka asnjë gatishmëri tek shqiptarët për kompromis.

Aleksandër Vuçiç: “Nuk jam i sigurt nëse shoqëria serbe e kupton se sa ne kemi humbur në vitin 1999 dhe se kemi patur politika katastrofike që nga viti 2004 deri në 2011 dhe tani po paguajmë çmimin. Nëse askush nuk guxon ta thotë këtë, atëherë e them unë. Por kjo nuk nënkupton që dikujt i takon e tëra, edhe ajo që nuk i ka takuar kurrë, ndërsa ne të mos kemi as atë që ka qenë gjithmonë e jona. Unë jam gjithmonë për kompromis”.

Serbia ka ndarë 600 milionë euro për ushtrinë e saj duke e quajtur një gatishmëri për funksionalizimin e ushtrisë e gatshme për të reaguar, por një angazhim për paqe dhe stabilitet në rajon dhe jo garë armatimesh./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!