Holanda dhe Franca pritet të bëjnë të njohur të mërkurën qëndrimin që do të mbajnë në tetor për negociatat e anëtarësimit në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Nëse Hollanda i qëndron, JO-së për Shqipërinë, atëherë Bashkimi Europian pritet të shkohet drejt ndarjes së vendimarrjes për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë.
Franca dhe Holanda do të japin qëndrimin e tyre për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të mërkurën, gjatë takimit të ambasadorëve të përhershëm të Bashkimit Europian në Bruksel. Këtë e kanë bërë të ditur për ABC News burime zyrtare të Bashkimit Europian.
Sipas këtyre burimeve, pas votimit në Bundestag për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe hapje të kushtëzuar të negociatave për Shqipërinë, pritet që të mërkurën Franca t’i bashkangjitet qëndrimit gjerman. Franca, që ka qëndruar hermetike lidhur me dosjen e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut pritet të japë një PO për Maqedoninë e Veriut dhe një Po tê kushtëzuar për Shqipërinë.
Ndërkohë, nuk dihet ende nëse qëndrimi i Holandës do të jetë ai i shprehur së fundmi nga ministri i punëve të jashtme, Stef Blok. Në komisionin për çështjet europiane të Parlamentit hollandez, Stef Blok është shprehur, se nuk ka surpriza lidhur me hapjen e negociatave për Shqipërinë, pasi qëndrimi mbetet ai i verës. Ai i është referuar mocionit të aprovuar nga Parlamenti hollandez në qershor të këtij viti kundër hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Blok ka shtuar se Shqipëria do të hapë negociatat e anëtarësimit kur të pëmrbushë kushtet. Ndërkohë që Maqedonia e Veriut duhet të vlerêsohet në mënyrë të pavarur.
Takimi i ambasadorëve të përhershëm të Bashkimit Europian zhvillohet në Bruksel të mërkurën. Nëse Hollanda i qëndron, Jo-së për Shqipëirnë, atëherë Bashkimi Europian pritet të shkohet drejt ndarjes së vendimarrjes për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë. Ky takim i paraprin mbledhjes se ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian që zhvillohet nê 15 tetor në Luksemburg, ku do të merret edhe vendimi pêr Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. /ABC News Albania 24/7