Niveli i ujit në Liqenin e Fierzës është vetëm një metër poshtë kuotës maksimale të lejueshme. Nëse prurjet do të vazhdojnë me shpejtësi, portat e këtij hidrocentrali do të hapen. Kurse në Vaun e Dejës shkarkimet vazhdojnë me 800 metra kub në sekonde.
Reshjet e shiut nuk kanë pushuar në verilindje të vendit.
Prurjet e lumenjeve në liqenin e Fierzës po rrisin nivelin e ujit me shpejtësi.
Rreth një metër i duhet për të arritur kuotën maksimale liqenit të Fierzës.
Përmirësimi i motit, shkrirja e borës dhe reshjet e shiut i kanë çuar prurjet në më shumë se 2500 metërkub ujë në sekondë. Shkarkimet e kontrolluara duket se nuk kanë ndikuar për ta mbajtur situatën nën kontroll, e me këtë ritëm prurjesh, ndoshta Fierza do të nisë shkarkime më të shpeshta dhe në sasi më të mëdha se 300 metërkub ujë në sekondë.
Por në hidrocentralin e Vaut të Dejës shkoi dhe Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri. Ai ishte në qendrën e kontrollit, për të monitoruar nga afër situatën se si Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare po menaxhon, një situatë jo normale të prurjeve të ujit. Gjiknuri, interesit të gazetarëve se a do ketë shkarkime në ditët e ardhshme, iu përgjig.”
Damian Gjiknuri: “Në varësi të motit, realisht paralajmërimi është që do të kemi reshje të mëtejshme, dhe një pjesë e madhe e borës ju e dini që është shkrirë dhe potencialisht prurjet do të jenë të mëdha. Fierza sot ka shumë mundësi që në darkë të shkojë në kuotën e 295 metrave dhe maksimumi që mund të shkohet me rregullore është 296 metër për sezonin që flasim. Nëse do të kemi prurje të mëdha, jemi të detyruar të shkarkojmë më shumë. Por jam i bindur që nga këto të dhëna që duken që nuk do të jemi në ato përmasa të shkarkimeve të vitit 2010, sepse ai mbahet si një skenar, që deri diku mund të quhet një skenar i keq”.
Ndërkohë nga rritja e nivelit të ujërave në lumin Buna por edhe baticës në detin Adriatik probleme ka pasur edhe në territorin e Malit të Zi.
Në grykëderdhjen e Bunës në pjesën e Ulqinit janë përmbytur rreth 600 shtëpiza druri dhe 10 restorante./abcnews.al