“Në shkurt nis ndërtimi i Urës së Bunës,” Rama: Në 2 korrik hapet aksi Kardhiq-Delvinë e me 9 ByPass-i i Vlorës

schedule12:01 - 9 Qershor, 2022

schedule 12:01 - 9 Qershor, 2022

Kryeministri Edi Rama ka marrë fjalën në seancën e sotme plenare për t’i kthyer përgjigje akuzave të deputetes demokrate Jorida Tabaku rreth situatës së çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve në vend.

Deputetja demokrate tha, duke cituar shifrat nga INSTAT se çmimet janë rritur me 30 për qind duke u vështirësuar akoma më shumë jetën kështu shtresave në nevojë në vend.

Megjithatë, për Ramën fjalët e deputetes nuk qëndrojnë pasi, duke cituar INSTAT-in, ai tha se rritja e inflacionit në vendin tonë është më e ulëta në rajon. Po ashtu, ai theksoi se qeveria subvencionon 100 për qind diferencën e energjisë duke bërë që çmimet të mos rriten dhe të mbeten siç ishin para krizës.

“Duke qenë se ju flisni me shifra, unë do të isha mirënjohës nëse do të më orientoni ku i keni gjetur shifrat e INSTAT-it, se unë i kam para. Infalcioni është rritur 6.2 për qind, në Mal të Zi, 11.2 për qind….Ky është prilli-maji. Është INSTAT-i, është i njëjti burim që citoi Tabaku. Me 1.6 për qind është muaji me muajin. Po flasim për një muaj shumë pranë fillimit të luftës dhe një muaj kur ndodhin lëvizje të brendshme ekulibruese. Sigurisht që krahasuar me një vit më parë kemi rritje. Ku është ky 30 përqindëshi? Tabaku përmendët Urën e Bunës, ju falënderoj sepse është një projekt shumë i rëndësishëm për industrinë tonë turistike…Mjafton një km urë për të evituar mbi 70 km kapje e veshit mbrapsht, por edhe për të krijuar një burim atraktiv për investimet në turizëm dhe sinergjinë turistike rajonale të asaj zonë. Në shkurt të vitit të ardhshëm, bashkë me kryeministrin e Malit të Zi, nis puna për ndërtimin e urës. Në 2 korrik hapet përfundimisht aksi i shumëperfolur Kardhiq-Delvinë, në 9 korrik hapet bypassi Vlorës..”

Gjithashtu kreu i qeverisë, duke u ndalur tek projekti urës që do të lidhë Velipojën me Ulqinin, tha se puna për ndërtimin e saj nis në shkurt. /abcnews.al/